Rama në Danimarkë për Samitin e Komunitetit Politik Europian, flet për “Diellën”: Kemi provuar që funksionon shumë mirë

10:57 | 2 Tetor 2025
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në Kopenhagë, ku merr pjesë në takimin e Komunitetit Politik Europian, së bashku me liderë nga i gjithë kontinenti. Samiti fokusohet në sigurinë evropiane, mbështetjen për Ukrainën dhe koordinimin politik mes vendeve pjesëmarrëse.

Në një deklaratë për mediat, përpara nisjes së punimeve, Rama u ndal edhe te “Diella”, ministrja virtuale e prezantuar nga qeveria shqiptare.

Ai tha se platforma ka rezultuar funksionale dhe efektive në ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët përmes portalit e-Albania.

“Kjo është diçka e re dhe si çdo gjë e re do përballet me kritika, që është gjë e mirë, por deri tani kemi provuar që funksionon dhe funksionon shumë mirë. Ka filluar si një asistente virtuale për shërbimet publike për qytetarët dhe ka ndërvepruar me rreth 1 mln njerëz, për 1 mln shërbime dhe ka përgatitur 36 mijë dokumente deri më tani përmes aftësive digjitale dhe askush nuk ka patur probleme apo t’i ketë kundërshtuar. Së dyti, po punon për transferimin e legjislacionit të BE në legjislacionin tonë dhe së treti, për tenderat publikë që është një punë ende në vijim. Kritikat janë të mira, por ajo është më e mirë”, tha Rama.

Lidhur me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, Kryeministri theksoi se Shqipëria po ecën me ritme të shpejta dhe është gati për të qenë pjesë e familjes europiane.

“Ne nuk po presim, po vrapojmë, po vrapojmë shpejt dhe do të jemi gati shumë shpejt. Varet nga njerëzit e mëdhenj në atë dhomë për të mos pritur më, por për të na anëtarësuar ne sepse do të ishte një vlerë e shtuar për Europën”, theksoi ai.

Rama mbërriti në Kopenhagen ditën e djeshme, ku u prit nga Madhëria e Tij, Mbreti Frederiku X, dhe Madhëria e Saj, Mbretëresha Margrethe II, në Pallatin Amalienborg.

Sipas programit të Komunistrit Politik Europian, udhëheqësit do të përqendrohen në mënyrën e forcimit të Ukrainës, situatës së përgjithshme të sigurisë në Evropë dhe si ta bëjnë kontinentin më të fortë dhe më të sigurt në situatën gjeopolitike me të cilën përballemi.

Seanca plenare do të hapet në orën 10:00 dhe do të pasohet nga disa diskutime në tryezë të rrumbullakët që përqendrohen në aspekte të ndryshme të situatës së sigurisë në Evropë, duke përfshirë: kërcënimet tradicionale dhe hibride; sigurinë ekonomike; dhe migrimin.

Bashkimi Evropian do të përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili do të bashkëkryesojë takimin me Kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen.

Komuniteti Politik Evropian synon të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve evropiane për të adresuar çështje me interes të përbashkët, për të forcuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në kontinentin evropian, duke krijuar një hapësirë të përbashkët për koordinim politik.

Takimi i mëparshëm u zhvillua në Tiranë më 16 maj të këtij viti, ndërsa takimet e radhës janë planifikuar të mbahen në Armeni dhe Irlandë.

/rtsh.al/