Rama me Netanyahun: Shqipëria dhe Izraeli të lidhur nga një miqësi e thellë historike, forcojmë bashkëpunimin në mbrojtje, siguri dhe luftën kundër terrorizmit

15:59 | 26 Janar 2026
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera, të ndërtuara mbi një miqësi të thellë historike mes popujve shqiptarë dhe hebre, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun izraelit, Benjamin Netanyahu.

Në fjalën e tij, Rama vuri theksin edhe te thellimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Izraelit në fushat e mbrojtjes, sigurisë, sigurisë kibernetike dhe luftës kundër terrorizmit. Ai shprehu mirënjohje të veçantë ndaj Izraelit për mbështetjen kritike të dhënë gjatë sulmit kibernetik masiv të Iranit kundër Shqipërisë.

“Me Izraelin ne vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, sigurisë, sigurisë kibernetike e terrorizmit. Më lejoni të shpreh mirënjohjen e thellë ndaj Izraelit për mbështetjen kritike gjatë sulmit kibernetik masiv të Iranit kundër Shqipërisë. Ashtu si Izraeli, Shqipëria nuk ka asnjë marrëdhënie diplomatike me Iranin, një vend me një civilizim të jashtëzakonshëm, që fatkeqësisht është shndërruar në një ishull terri nga urrejtja e verbër kundër çdo drite”, deklaroi Kryeministri.

Rama u ndal te vizita e zhvilluar një ditë më parë në Nova Site, duke e cilësuar atë si “thellësisht trazuese”.

Ai theksoi se Shqipëria ndjen një lehtësim moral për faktin se ka qëndruar gjithmonë në anën e duhur të historisë.

“Vizita në Nova Site dje ishte thellësisht trazuese. Ka një ndjenjë lehtësimi moral kundër shpirtrave të atij vendi të dhimbshëm, duke ditur se kurrë s’i lamë në baltë dhe qëndruar krah pengjeve dhe familjeve të tyre dhe kundër kasapëve neonazistë të Hamasit. Veprimet e të cilëve kanë sjellë vuajtje të padurueshme jo vetëm për izraelitët, por dhe për motrat e vëllezërit tanë palestinezë të dehumanizuar nga Hamasi deri në pikën e katandisjes në instrumente lufte, kthyer në infrastrukturë mbrojtje prej mishi e gjaku. Diçka e paparë, e padëgjuar në historinë e barbarive. Shqipëria është e nderuar që bëhet pjesë e Bordit të Paqes e themeluar nga presidenti Trump dhe e shoh këtë ftesë si përgjegjësi morale”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri bëri të ditur se Shqipëria është e nderuar të bëhet pjesë e Bordit të Paqes, të themeluar nga presidenti amerikan Donald Trump, duke e konsideruar këtë ftesë si një përgjegjësi morale. Ai theksoi se vendi ynë do të vijojë të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për paqe, përfshirë planin për Gazën, si dhe do të luajë rolin e vet brenda forcave ndërkombëtare për stabilizimin e saj.

Rama rikujtoi edhe lidhjen historike mes dy popujve, duke theksuar se për më shumë se një herë hebrenjtë që i iknin persekutimit në Perëndim u vendosën në brigjet shqiptare. Ai nënvizoi se mbrojtja e hebrenjve gjatë Holokaustit përbën një trashëgimi unike të Shqipërisë dhe një dëshmi të kurajës morale të gjyshërve tanë, e cila duhet të ruhet dhe të përcillet brez pas brezi.

Në këtë kuadër, Rama theksoi se qeveria shqiptare mbetet plotësisht e përkushtuar për të kremtuar këtë trashëgimi historike dhe mban një qëndrim të qartë, të vendosur dhe të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria qëndron e palëkundur kundër antisemitizmit dhe kundër islamofobisë. Ne refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqin veprimet dhe marrëdhëniet tona me popujt apo vendet e tjera”, përfundoi Rama./rtsh.al/