Rama: Krenarë që barazia para ligjit mund të bëhet realitet edhe në Shqipëri

19:09 | 25 Mars 2025
E.G

Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se “duhet të jemi shumë krenarë për faktin që për herë të parë po i japim popullit shqiptar dhe këtij kombi dhe këtij shteti mundësinë që të shohë se barazia para ligjit mund të bëhet realitet edhe këtu në Shqipëri”.

Gjatë fjalës së tij në takimin me të rinj lezhjanë për prezantimin e skuadrës së re për Shqipërinë në BE 2030, Rama tha se “jam krenar për shumë gjëra që kemi bërë, por nëse ka një gjë për të cilën besoj se ne të gjithë, socialistë e progresistë, kjo familje do jemi krenarë shumë vite më vonë është ajo që po ndodh me drejtësinë”.

“Pikërisht ajo për të cilën gjithë bufat e mëdhenj e të vegjël na tregojnë me gisht ne, ky në burg, ai në burg. E vërtetë është për herë të parë që kur shqiptarët u bënë me shtet, që kur flamurin e drejtësisë e ka pasur në dorë vetëm një njeri, ai ka qenë i pari i qeverisë. Prandaj edhe i burgosuri i fundit politik në Shqipëri është Fatos Nano, sepse e futi në burg “bufi i kënetës” duke urdhëruar drejtësinë që të bënte një çmenduri politike”, tha Rama.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se qeveria nuk e ka në dorë drejtësinë.

“Sot, ne, pushteti politik, nuk e kemi më drejtësinë në kontroll, por nuk e kemi në kontroll, se dolën ca trima edhe gjetën rrugën për të bërë heroizma, por nuk e kemi në kontroll, sepse me vullnet të plotë kemi bërë një reformë që ia kemi hequr kontrollin e drejtësisë politikës dhe e kemi mbështetur drejtësinë e re, kemi mbështetur SPAK dhe Gjykatën Speciale pa kushte”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “Altin Dumani nuk lindi këto tre vjet, ka qenë këtu, nuk u bë prokuror këto tre vjet, nuk e sollën nga Hëna as nga Amerika, as nga Evropa. Nga Shupenza ku ka lindur, ka bërë shkollën në Shqipëri, ka hyrë në sistemin e drejtësisë shumë vite përpara e kishit dëgjuar ndonjëherë ju Altin Dumanin, kishit dëgjuar, kishit parë ju që është një Altin Dumani që thirri këtë e atë? Jo!”.

“Por ndonjë tjetër kishte dëgjuar thirri këtë, thirri atë, po hetohet ky, kishit parë? Jo ju, po pyesni gjyshërit në shtëpi, ke parë ndonjë nga këta që i shohim ne që të shkojë tek Prokuroria e të japë përgjigje prokurorëve e pastaj prokurorët edhe ta marrin ta fusin në burg, ke parë? Gjyshi do thotë “nuk kam parë ndonjëherë”, se nuk pasur. Po me urdhër janë pushkatuar, janë varur me urdhra nga i pari. Sot është diçka krejt tjetër”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “duhet të jemi shumë krenarë për faktin që për herë të parë po i japim popullit shqiptar dhe këtij kombi, dhe këtij shteti mundësinë që të shohë se barazia para ligjit mund të bëhet realitet edhe këtu në Shqipëri dhe para ligjit si njeriu i panjohur në Milot, ashtu edhe ai më i njohuri në Tiranë janë të barabartë dhe madje ai që është i panjohur në Milot për sa kohë është i njohur me ligjin, nuk i hyn një gjemb në këmbë”./atsh.al

 

Të ngjashme