Google ADS

Rama i thotë ‘po’ strehimit të afganëve në Shqipëri

13:22 | 15 Gusht 2021
Përparim Bublaku

Kryeministri Edi Rama ka pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara për strehimin në Shqipëri të disa qindra afganëve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka konfirmuar lajmin e publikuar nga agjencia e lajmeve Reuters, se qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët kanë si destinacion të fundit Shtetet e bashkuara.

“Është e vërtetë po, se ditët e fundit qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion fundor kanë Shtetet e Bashkuara. Pa diskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria! Shqipëria është shtëpia e shqiptarit që as me Kanun, as me Zakon, e as me Moral po të doni, nuk ua përplas derën në fytyrë të panjohurve që trokasin për mbrojtje”.

Në një koment të gjatë kryeministri sqaron opinion publik, se afganët që kanë mbërritur e që pritet të vijnë ditët në vijim janë nga rrethet intelektuale dhe gra aktiviste, të cilët janë nga të parët në listat e ekzekutimeve të barbarëve të Afganistanit.

“Kjo është arsyeja morale pse ende pa ardhur kërkesa e qeverisë amerikane, ne kemi mikëpritur dy kërkesa prej dy institucionesh shoqërore shumë të respektueshme përtej oqeanit, për të vlerësuar strehimin e përkohshëm në Shqipëri të disa qindra personave, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane, të cilët janë nga të parët në listat e ekzekutimeve të barbarëve të Afganistanit”.

Në kundërpërgjigje të komenteve të shumta refuzuese për qëndrimin e tyre në Shqipëri, Kryeministri kujton strehimin e hebrenjve nga shqiptarët në luftën e dytë botërore.

“Nuk e ka shqiptaria një histori më të lavdishme për botën, se sa marrja në mbrojtje e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Askush s’ua kërkoi gjyshërve tanë ta rrezikonin jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë, siç pakkush bëri në Europën e përpirë nga flama naziste. Ata e bënë. Pa dallim krahine e feje. Disa syresh e paguan me jetën e tyre, po asnjë hebre për be nuk e dorëzuan tek nazistët.

Menjëherë pas daljes së lajmit, qysh dje në mëngjes, ka nisur të hidhet përpjetë llumi njerëzor i rrjeteve sociale, me sharjet e mallkimet e shqipes së vet bazike me 100 fjalë – edhe ato të shkruara për ibret – me të cilat mbron me zjarrin e padijes detin nga greku, dheun nga serbi, ajrin nga armiku imagjinar i radhës, duke shpërfaqur krejt egërsinë e injorancës, në emër të një kinse patriotizmi mu si ai i talebanëve, të cilët tjetrin, të ndryshmin e këdo mendon si ai, e konsiderojnë një armik që duhet asgjësuar, sakatuar e poshtëruar, vetëm pse as nuk është i verbër si ata, as nuk friket nga helmi i kafshimit të tyre”.

Rama shkon më tej në komentin e tij teksa thotë, se shqetësimin për të mbrojtur afganët nga talebanët e ka ngritur si kërkesë vetë gjatë samitit të NATO-s.

“Thashë në samit se pas tërheqjes së ushtrive të saj, bashkësia e qytetërimit demokratik të NATO-s nuk mund t’i lerë në mëshirën e barbarëve triumfatorë, njerëzit e ekspozuar si mbështetës të afërt të misioneve paqeruajtëse atje. Dhe nënvizova me gojën plot, se Shqipëria ishte e gatshme të merrte pjesën e saj të barrës, të cilën të gjitha vendet e NATO-s duhet ta ndajnë mes tyre”.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri, i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA. Më parë ata duhet të çohen në një shtet të tretë, ku mes vendeve te përmendura janë dhe Shqipëria e Kosova.

Shpërndaje në rrjete sociale