Rama flet për koncertin e Kanye West: 4 milionë euro për Shqipërinë

09:09 | 8 Korrik 2026
E H

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj kritikave për financimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West, duke e cilësuar investimin si një vendim strategjik për promovimin e vendit dhe zhvillimin e ekonomisë.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se janë vënë në dispozicion 4 milionë euro në minutën e fundit për organizimin e koncertit, me qëllim që, sipas tij, të mos dëmtohej imazhi i Shqipërisë përballë rreth 25 mijë vizitorëve nga afro 80 shtete, të cilët kishin siguruar prej kohësh biletat për ngjarjen.

Sipas kryeministrit, koncerti pritet të ketë ndikim të konsiderueshëm ekonomik, duke sjellë jo më pak se 100 milionë euro të ardhura. Ai argumentoi se kjo vlerë mbështetet edhe nga rritja e rezervimeve në platformat e akomodimit për fundjavën e koncertit, si dhe nga efektet që pritet të kenë shpenzimet e turistëve në bizneset vendase.

Rama krahasoi këtë aktivitet me finalen e UEFA Conference League, duke kujtuar se, sipas të dhënave të UEFA-s, ajo ngjarje gjeneroi rreth 160 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare.

Kryeministri kritikoi ashpër kundërshtarët e projektit, duke i akuzuar se po manipulojnë opinionin publik me pretendime se fondet e përdorura për koncertin do të cenojnë sektorë të rëndësishëm, si shëndetësia. Ai theksoi se qeveria ka miratuar së fundmi fonde shtesë për ilaçet e pacientëve me kancer, investime në aparatura mjekësore, mbështetje për personat me aftësi të kufizuara, startup-et, bizneset dhe pensionistët.

Në fund të reagimit, Rama deklaroi se, pavarësisht kritikave, Shqipëria do të vijojë përpara me projekte që, sipas tij, rrisin promovimin ndërkombëtar dhe zhvillimin ekonomik të vendit, duke shtuar se “Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsht.”

Shpërndaje në rrjete sociale