Një ditë pas miratimit në Kuvend të kabinetit të ri qeveritar, kryeministri Edi Rama dhe 16 ministrat janë betuar sot në Presidencë.
Pas betimit, Rama pritet të thërrasë edhe mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeveritar.
Javën e kaluar, Presidenti Bajram Begaj dekretoi Edi Ramën si kryeministër për herë të katërt që prej vitit 2013.
Programi i qeverisë dhe anëtarët e Këshillit Ministror u miratuan me 82 vota ditën e djeshme (18 shtator), në një seancë që u shoqërua me tensione të forta. Edhe pse ishte parashikuar një seancë maratonë, e gjitha zgjati vetëm 25 minuta, ndërsa opozita u largua nga salla gjatë kohës së votimit.
Opozita kontestoi një transmetim filmik të ministres virtuale “Diella” në Kuvend, duke bllokuar foltoren dhe duke mos e lejuar kryeministrin Rama që të vijonte më tej me prezantimin e programit qeverisës. Kjo bëri që kreu i Kuvendit të kalonte menjëherë për votim programin dhe përbërjen e re të kabinetit qeveritar.
Pas seancës, PD mblodhi Grupin Parlamentar, ndërsa Gazment Bardhi tha se u vendos që të kërkohet përsëritja e seancës dhe se po ashtu do të fillojnë procedurat për mocion për shkarkimin e Peleshit si kryetar i Kuvendit.
Përbërja e Qeverisë
Edi Rama, Kryeministër
Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale, “Diella”
Belinda Balluku, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
Albana Koçiu, Ministër i Punëve të Brendshme
Elisa Spiropali, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
Petrit Malaj, Ministër i Financave
Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit
Mirela Kumbaro Furxhi, Ministër i Arsimit
Evis Sala, Ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Delina Ibrahimaj, Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit
Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë
Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes
Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ervin Demo, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociator
Adea Pirdeni, Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
Toni Gogu, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
IPK arreston një zyrtar policor në Vërmicë për marrje ryshfe...
BE mbështet Danimarkën ndërsa SHBA-të rrit përpjekjet për Gr...
Kurti ngushëllon familjen Krasniqi për vdekjen e Shemit: Xha...
Osmani takon Zëvendës Sekretarin amerikan: Dialogu me Serbin...
Kurti pritet në takim nga hoxhë Musliu në Mitrovicë, e njoft...
Nis protesta kombëtare e thirrur nga PD-ja, kërkohet rrëzimi...