Presidenti Meta kthen në Kuvend ligjin për heqjen e TVSH-së për jahtet: Mendoni për familjet në nevojë e jo për luksin

17:11 | 8 Qershor 2020

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta ktheu sot, më 8 qershor 2020, në Kuvend ligjin për tatimin mbi vlerën  e shtuar për jahtet në vendin tonë.

Ligji parashikonte që të përjashtoheshin nga tatimi mbi vlerën e shtuar në import të jahteve dhe të mjeteve të tjera ujore që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi, jo më të vjetra se 20 vite.

“Si President i Republikës, kam vendosur kthimin e këtij ligji për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë, i cili duhet të vlerësojë thellësisht që nisma të tilla për aplikimin e lehtësimeve fiskalejo vetëm të ndërmerren pas studimeve dhe analizave të thelluara financiare, por edhe të rriten përpjekjet për të përqendruar aplikimin e lehtësimeve në kategoritë e mallrave dhe shërbimeve që kanë më shumë nevojë për politika fiskale mbështetëse” shkruhet në arsyetimin e presidentit

Meta ka dhënë edhe arsyet për kthimin e këtij ligji, më konkretisht ai thekson se ky ligj:

-Duke zgjeruar përjashtimet nga zbatimi i regjimit ligjor fiskal, rrezikon qëndrueshmërinë e vetë ligjit bazë nr. 92/2014, për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe krijon një precedent për një efekt të mëtejshëm zinxhir në shtimin e kërkesave të paargumentuara për aplikimin e këtij rregulli përjashtues;

-Zgjerimi i rrethit të përjashtimeve të kësaj natyre ndikon potencialisht në uljen e të ardhurave tatimore nga tatimi mbi vlerën e shtuar;

-Krijon një diferencim të trajtimit të mallrave të tjera të konsideruara luksi, apo kënaqësie, që jo vetëm i nënshtrohen tatimit mbi vlerën e shtuar, por dhe akcizës;

-Krijon idenë e një përjashtimi me natyrë klientiste dhe preferenciale, sepse përjashton jahtet dhe mjeteve të tjera ujore që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi;

-Është një veprim, i cili zvogëlon më tej bazën tatimore të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

-Nuk është në harmoni me nevojat emergjente të vendit, si dhe me parashikimet e Institucioneve Financiare, të cilat raportojnë për përkeqësimin e situatës ekonomike në vendin tonë

“Qeveria është përgjegjëse për stabilitetin ekonomiko-financiar të vendit dhe për këtë arsye ajo ka detyrimin të ndërhyjë në çdo rast kur një gjë e tillë rrezikon të përkeqësohet. Nisur nga fakti që aktualisht sistemi ynë po përballet me dy gjendje të fatkeqësisë natyrore të shkatuara e para që prej tërmetit të datës 26 nëntor 2019, ndërsa e dyta si pasojë e situatës globale për shkak të pandemisë së shkaktuar nga infeksioni Covid-19, qeveria shqiptare, ka përgjegjësinë të jetë e kujdesshme si në shpenzime, por edhe në ndërmarrjen e nismave të tilla ligjvënëse.

Është jo e drejtë dhe aspak e mirëpritur që kjo nismë ligjore miratohet ndërkohë kur shumë familje dhe biznese të prekura nga fatkeqësitë natyrore janë ende në pritje që të trajtohen me mbështetje financiare për ndërtimin e banesës së shkatërruar nga tërmeti, apo të një pakete ndihme lehtësuese për shkak të papunësisë nga këto muaj izolimi. Ndërkohë, përkundër kësaj pritshmërie legjitime, qeveria shqiptare reagon në krah komplet të kundërt duke ndërmarrë nisma ligjore për lehtësimin fiskal të disa personave që do të importojnë mjete lundruese luksi, siç janë jahtet.”

Në seancën plenare të datës 14 maj 2020 Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 64/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.  Ky ligj iu përcoll Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje me shkresën nr. 1308 prot, datë 19.05.2020 të Kuvendit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara