PE miraton rezolutën që njeh progresin e Shqipërisë

17:38 | 23 Nëntor 2022

Parlamenti Europian miratoi këtë të mërkurë me një shumicë prej 435 votash pro, një rezolutë që njeh përparimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit.

Hartuesi i raportit, eurodeputeti socialdemokrat Tonino Pikula renditi propozimet e tij për mekanizmat e reja të vendimmarrjes në këtë proces.

“Duhen afate të qarta për përfundimin e negociatave. Ato duhet të përfundojnë në fund të këtij dhjetëvjeçari. Duhet të aplikohet shumicë e cilësuar për çeljen e negociatave si dhe për hapjen dhe mbylljen e çdo kapitulli të negociatave të anëtarësimit. Vendimi përfundimtar mund t’i nënshtrohet sërish unanimitetit, por së paku do të krijohet besimi, se disa çështje mund të zgjidhen përmes negociatave. Nuk mund të humbim kohë sërish si në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi vlerësoi ecurinë e shpejtë të procesit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, këtë vit.

“Në Korrik patëm konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas këtij përparimi domethënës, nisëm procesin e rishikimit të legislacionit që po ecën. Dy javë më parë nisëm negociatat me Shqipërinë, veçmas nga Maqedonia e Veriut”.

Në tekstin e hartuar nga eurodeputeti kroat Tonino Pikula, Serbisë i vihet kusht që të përshtatet me sanksionet e BE ndaj Rusisë që ajo të vijojë më tej procesin e integrimit./tvklan.al.

Shpërndaje në rrjete sociale