PD: Rama po bllokon dekriminalizimin, Tahiri të jap dorëheqje

17:47 | 15 Shtator 2015
Gita

Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri për bashkëpunim dhe fshehje të krimit.

Përmes një deklarate për shtyp paraditen e sotme, ish-ministri i Brendshëm, deputet i PD-së Flamur Noka tha se Rama dhe Tahiri janë personat përgjegjës për fshehjen e kërkesës së Interpol-Brukselit për deputetin Mark Frroku. Sipas Flamur Nokës, një dokument i tillë, një kërkesë nga Interpoli për një deputet, mund të fshihej për muaj të tërë vetëm nga ministri i Brendshëm me bekimin e kryeministrit, ndaj dhe në emër të PD-së, Noka kërkoi dorëheqjen e ministrit Sajmir Tahiri.

“Skandali i fshehjes së kërkesës së Interpol Brukselit për deputetin Mark Frroku, po merr edhe më shumë erë çdo ditë, dhe tashmë kanë mbetur vetëm dy persona përgjegjës për këtë akt të rëndë të rënies së shtetit, të fundosjes së çdo standardi. Dy personat e vetëm përgjegjës që kanë mbetur tashmë në kët ë aferë, janë Saimir Tahiri dhe Edi Rama.

Më tej, Flamur Noka, ish ministër i Brendshëm aktualisht deputet i PD-së tha se Edi Rama po i nxjerr pengesa dekriminalizimit dhe po e bllokon atë. Noka tha se këto skandale mbyllen vetëm me largimin nga detyra të ministrit Sajmir Tahiri, dhe nisjen e hetimit ndaj tij.

“Ky bashkëpunim në krim i Saimir Tahirit dhe Edi Ramës, u bë për deputetin që me dëshminë e tij mbylli hetimin për Ilir Metën, i cili u akuzua nga radhët e vetë mazhorancës për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Ky bashkëpunim në krim i Saimir Tahirit dhe Edi Ramës, është një nga episodet e inkriminimit masiv, dhe krimit të veshur me pushtet e pushtetit të veshur me krim. Sajmir Tahiri duhet të largohet dhe t’i hapë rrugën hetimit për këtë rast dhe për të gjitha rastet e tjera të provuara për lidhjet dhe përfshirjen në krim. Dekriminalizimi do të bëhet dhe përgjegjësit e akteve të rënd a kriminale do të dalin para ligjit e drejtësisë,” tha deputet i PD-së.

Shpërndaje në rrjete sociale