Në një kohë kur ka njoftuar se në shtator do të zhvillohet një analizë rrënjësore mbi shkaqet që çuan në humbjen e dytë radhazi, po aq të thellë sa dy vite më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paralajmëron nisjen e një sezoni të ri protestash masive të opozitës kundër manipulimit të zgjedhjeve nga mazhoranca qeverisëse.
Për të justifikuar humbjen e 21 qershorit, në mbledhjen e Grupit parlamentar Demokrat, Basha theksoi se protestat do të nisin në vjeshtë dhe do të vijojnë deri në pranverë.
Sipas Bashës, tri janë sfidat e mëdha ekzistenciale, me të cilat ballafaqohet demokracia dhe e ardhmja e Shqipërisë: krimi, korrupsioni dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, shkruan Shqip. “Këto janë problemet. Këto janë betejat. Të thirrur në këtë betejë janë jo vetëm demokratët dhe opozitarët por të gjithë ata që ndajnë me ne dhe besojnë si ne në vlerat e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të gjithë shqiptarët që pavarësisht bindjeve politike nuk mund e nuk do të pranojnë kurrë inkriminimin e pushtetit. E pra në këtë këndvështrim, ne jemi shumica. Madje shumica dërrmuese. Në Parlament le të kumbojë zëri juaj si përfaqësues të kësaj shumice. E le të bëhemi gati që fuqia e zërit të kësaj shumice të oshtijë në sheshet dhe rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona duke nisur që nga kjo vjeshtë e pa kthim, pa kthim deri në pranverën shqiptare të mposhtjes së oligarkisë dhe regjimit të krimit e korrupsionit dhe rivendosjen e themeleve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”- u shpreh Basha.
Gjatë fjalës së tij, në mbledhjen e hapur për mediat të grupit të PD-së, kryedemokrati u shpreh se mazhoranca po rishikon buxhetin vjedhurazi dhe pa konsulentë, pasi zhyti shqiptarët në borxhe. Ai theksoi, gjithashtu, se Rama dhe Meta e kanë braktisur dekriminalizimin. “Në dritën e shifrave të frikshme të vjedhjes dhe kontrabandës në tatim-dogana nga njëra anë dhe rritjes së deficitit në raport me të ardhurat e planifikuara nga ana tjetër, Kryeministri ka urdhëruar rishikimin e buxhetit tinëzisht, pa bujë, pa transparencë, vjedhurazi nga sytë e publikut, hajdutçe. Këto janë zgjedhje që Rama-Meta braktisën dekriminalizimin dhe shtuan kriminelët në pushtet. Në vend të dekriminalizimit të jetës parlamentare, ashtu siç ramë dakord në marrëveshjen e 24 dhjetorit të vitit të kaluar dhe siç kërkuan me forcë të pazakontë miqtë tanë amerikanë dhe europianë dyshja shkoi me kokëfortësi drejt kriminalizimit të pushtetit vendor përmes kandidimit të personave me rekorde kriminale, të njohura kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht si të tillë”- u shpreh kreu i PD-së.
Mbledhja e grupit të ligjvënësve demokratë ka vijuar pa praninë e medias, dhe ashtu siç ndodh që pas 21 qershorit, edhe mbledhja e djeshme është shoqëruar me momente tensioni mes deputetëve dhe kryetarit të tyre Lulzim Basha. Sërish ka qenë ish-numri 2 i kësaj partie, Jozefina Topalli, e cila ka kritikuar ashpër qëndrimin indiferent të mbajtur nga kryetari Basha dhe vetë PD-ja për ligjin e Arsimit të Lartë. Nga burime nga mbledhja e djeshme u mësua se Topalli është shprehur se opozita e ka braktisur komunitetin e studentëve dhe të pedagogëve, i cili siç është shprehur ajo, ka dalë kundër projektligjit të qeverisë. Dhe për deputeten e Shkodrës është e çuditshme sesi opozita nuk ka reaguar aspak për një ligj që ajo e quan thjeshtë “klientelist”, duke braktisur dhe vetë opinionin publik i cili ka dalë në mbështetje të pedagogëve dhe studentëve kundër kësaj nisme të mazhorancës. “U bë gjithë kjo kohë që ky ligj diskutohet ne s’kemi reaguar. Të gjithë e dinë që ky është një ligj klientelist. Në gjithë botën demokratike, kur bëhen reforma klienteliste, opozita proteston. Dhe në këtë rast, ku është opozita?! Opozita dhe PD gjithnjë kanë qenë në krah të rinisë, por për Arsimin e Lartë ka mbetur në heshtje, duke u mjaftuar vetëm me disa konferenca shtypi”- mësohet se është shprehur Topalli. Ndërkaq, kreu i PD-së Lulzim Basha mësohet se ka deklaruar se ishte lënë për në fund të mbledhjes kjo çështje, mirëpo është bashkuar me Topallin për një reagim më të vendosur. “Jozefina ka të drejtë, këtë çështje kisha lënë ta diskutonim në fund”- është shprehur Basha, duke shmangur në këtë mënyrë vijimin e debatit, duke e deklaruar të mbyllur mbledhjen e radhës të grupit kuvendor demokrat. Për këtë çështje, mësohet se PD-ja do të kërkojë sot në Konferencën e Kryetarëve që do të mbahet para nisjes së seancës plenare tërheqjen nga rendi i ditës të projektligjit për “Arsimin e lartë”, me argumentin se shqyrtimi i tij nuk është përfunduar nga komisionet e përhershme parlamentare.
Vesa Vllasaliu publikon videon e parë të Mirlind Dakut me va...
Murati: Mbështetje për fëmijë dhe sektorin privat që në fill...
Humb jetën në QKUK këmbësori i aksidentuar në Fushë-Kosovë
Armand Duka: Jemi më të mirë se Kosova
Aktakuzë ndaj zyrtarit të Doganës në Vërmicë për keqpërdorim...
Sladan Trajkoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte n...