Pagat e ulta nxitën emigrimin, Ekspertët: Taksimi progresiv mbi pagat solli efekte negative

07:36 | 25 Shtator 2021

“Punoj jashtë, në ndërtim në Gjermani. Paguhet më mirë se këtu 1500-2000 euro në muaj.”

“Punoj sanitare, rrogë minimale ose me orë shtesë. Është e papërballueshme jetesa.”

“Unë nuk jetoj këtu, jetoj në Gjermani. Kam të afërm që i kam marrë atje. Punojnë nëpër firma, ndërtim apo në kafene. Në ndërtim paguhen 1500-2000 euro ndërsa në kafene 1500-1700 euro. Nuk kanë të krahasuar rrogat e Gjermanisë me të Shqipërisë.”

Janë pagat e ulëta në vend dhe mundësitë e shumta që ofron Europa e jo vetëm ato që po detyrojnë mijëra shqiptarë të lënë vendin. Këtë e tregojnë vetë ata dhe ekspertët sipas të cilëve kjo ka sjellë edhe krizën për fuqi punëtore dhe bëjnë apel që pagat të rriten në mënyrë të vazhdueshme.

Me gjithë rritjen, Shqipëria pas Kosovës ka pagën më të ulët minimale në rajon, ndërsa qëndron e fundit në listë për nivelin e pagës mesatare prej 468 euro, teksa në vendet e tjera si Serbi e Mal të Zi arrin përkatësisht në 764 dhe 791 euro.

“Njerëzit nuk mund të punojnë më thjesht me paga për të mbajtur frymën gjallë. Çdo vit duhet të rriten pagat minimale por dhe pagat e punonjësve. Minimalisht duhen indeksuar me inflacionin. Pra nëse kemi një inflacionin 2%, duhet që edhe paga të rritet automatikisht. Po ashtu një nga elementët është merita në punë”, u shpreh Erald Pashaj, ekspert për çështjet e punësimit.

Veç pagave, shqetësuese sipas ekspertit për çështjet e punësimit Erald Pashaj janë edhe taksat mbi punën që rëndojnë pagëmarrësit. Taksa progresive mbi të ardhurat duhet të ndryshohet shton ai.

“Nëse duam të bëjmë një korrigjim të skemës duhet shikojmë sa kjo familje që ka një kryefamiljar sa persona ka në familje. Ndryshe është taksimi kur jeni më fëmijë, e ndryshe pa fëmijë. Kjo siç është sot nuk është e mirë. Taksa progresive e vendosur pas vitit 2013 nuk është mbështetur nga askush, nuk na ka dhënë rezultatet që kemi dashur, na ka dhënë dhe emigracion të lartë. Atëherë nëse një taksë e tillë nuk ka qenë kontribuuese në ekonomi, pse duhet ta mbajmë?”, tha Erald Pashaj./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara