Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani ka theksuar se barrierat për bizneset e Kosovës duhet të eliminohen. Shqiptarët kudo që jetojnë janë faktor stabiliteti, Shqipëria s’duhet të sillet me paternalizëm ndaj shqiptarëve të Kosovës, Luginës së Preshevës, Malit të Zi e Maqedonisë, “Jam miq me të gjithë”, është shprehur presidenti Nishani në një intervistë për Gazetën Express.
Në njëqind vjetorin e Shtetit shqiptar u shfaqë përsëri njëfarë lloj albanofobie. Si e shihni rolin e shqiptarëve në Ballkan?
Albanofobia vazhdon të mbetet një tezë dhe një realitet i hidhur, për fatin e keq. Natyrisht, kjo nuk është e përhapur në të gjitha institucionet zyrtare të vendeve tjera të rajonit, por segmente të politikës të vendeve të caktuara e kanë shfaqur për fat të keq, dhe, vazhdojnë ta kenë. Një refleks, pikërisht, i kësaj është edhe teza e ashtuquajtur “Shqipëri e Madhe”, e cila është ngritur dhe sajuar nga jo miqtë e Shqipërisë. Ka qenë një tezë dhe një platformë, pikërisht, për të penguar përparimin e botës shqiptare, prosperitetin e botës shqiptare dhe integrimin e botës shqiptare, qoftë në proceset civilizuese europianizuese e kështu me radhë.Por, gjithsesi, kjo as nuk duhet t’i ligështoi shqiptarët, as nuk duhet t’i demoralizoi shqiptarët.
Përkundrazi, fakti që shqiptarët historikisht kanë qenë gjithmonë një komb që kurrë nuk ka agresuar të tjerët. Përkundrazi. Shqiptarët janë copëtuar në trojet e tyre, në territoret e tyre. Edhe pas copëtimit, atje ku kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë janë një faktor të qasur nga stabiliteti dhe nga krijimi i një ambienti të përgjithshëm besimi, mirëkuptimi dhe zhvillimi. Por, shqiptarët, aktualisht, janë një faktor i pazëvendësueshëm dhe i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit. Këtë e tregojnë edhe faktet historike. Shqipëria, sot, është një vend anëtar i NATO-s.
Nuk ka qenë e lehtë për të mbërritur në këtë pikë. Pra, nuk është vetëm konsumatore, por është edhe një ofruese dhe kontributore e sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë, veçanërisht, në stabilitetin rajonal. Kosova, sot, është jo vetëm një realitet i pakthyeshëm si një shtet i pavarur, por, është edhe një faktor i cili ka garantuar më shumë një lloj stabiliteti dhe paqeje në rajonin e Ballkanit dhe ka kontribuar, të themi, në relaksimin e raporteve të vendeve të Ballkanit, në aspektin diplomatik dhe politik. Shqiptarët në Maqedoni e kanë konfirmuar, jo vetëm si një element shtet-formues, por edhe si garantues i ekzistencës dhe stabilitetit në Maqedoni. Shqiptarët në Malin e Zi janë, gjithashtu, element shumë i rëndësishëm, që nga pavarësia e Malit të Zi, stabilitetit politik atje dhe hapat e rëndësishëm të integrimit euroatlantik të Malit të Zi. Mbetet shqetësim situata, veçanërisht, ekonomike e sociale e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Por, të gjitha këto realitete dhe kontribute e konfirmojnë faktin se jo vetëm të qenit një aktor dhe faktor kyç i stabilitetit në rajon, por edhe i pazëvendësueshëm.
Deklaruat se nuk e shihni Shqipërinë me qasje paternaliste, por, kemi parë liderë të Shqipërisë duke u sjellë me njëfarë paternalizmi mbi Kosovën. Sidomos kemi parë një qasje të tillë në raportet Shqipëri-Serbi. Cili është vlerësimi juaj mbi këtë çështje?
Ajo nuk është aspak ndihmëse për Kosovën. Nuk është aspak ndihmëse për rajonin. Unë besoj se nuk ka për të pasur dhe nuk ka asnjë lloj ndikimi – nëse ka një sjellje të tillë paternaliste – është një sjellje e sforcuar pa kurrfarë produkti as në interesin e Shqipërisë, as në interesin e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë. Veçanërisht në aspektin e marrëdhënieve dhe të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Shqipëria, duhet të respektojë tërësisht, në radhë të parë, pikërisht, autoritetet e Kosovës, të cilët kanë vendosur dhe kanë edhe mandatin e tyre të përfaqësimit në këto bisedime. Duhet të respektojnë në tërësi qasjen dhe frymën që ka ofruar, qoftë BE, qoftë SHBA – dy aleatët kryesorë strategjik të Shqipërisë dhe shqiptarëve – ndërsa, çdo përpjekje e sforcuar, unë, mendoj se nuk do të ketë kurrfarë rezultati. Përkundrazi, nuk i shërben as objektivave që ka shteti i Kosovës dhe as në tërësi, le të themi, çështjes kombëtare shqiptare.
Në intervistën e juaj të fundit në TVKlan deklaruat se Shqipëria po shërben si lloj “make up” ose makijazh për Serbinë. Në fakt, a mund ta na e sqaroni pak më shumë këtë konstatim tuajin?
Më ekzaktësisht, dhe në mënyrë korrekte, ka qenë që Shqipëria nuk mund të shërbejë si një “make up” – jo po shërben – por nuk mund të shërbejë, që do të thotë, duhet të kemi shumë kujdes për arsye, sepse Shqipëria është dhe duhet të jetë e interesuar, po aq sa edhe Serbia, në çështjen e relaksimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë. Jemi dy vende të rajonit të Ballkanit. Padyshim, që Shqipëria reflekton problematikën e madhe që pati lufta dhe gjenocidi i egër i Serbisë së Miloshevicit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Por, nga ana tjetër, Shqipëria është dhe do të mbetet në qasjen për të parë nga e ardhmja në mënyrë të tillë, që, duke mos harruar atë kalvar vuajtjesh që solli lufta dhe tentativa për spastrim etnik dhe gjenocidi që u ushtrua ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ne duhet të krijojmë një ambient të ri, një ambient bashkëpunimi, një ambient ku mosbesimi të zëvendësohet nga besimi. Proceset integruese europiane, janë procese që e ndihmojë, padiskutim, këtë frymë dhe këtë qasje. Por, nga ana tjetër, Shqipëria nuk mundet dhe nuk duhet assesi që të zhvendos rëndësinë e vëmendjes dhe realitetin rajonal që ka dialogu midis Serbisë dhe Kosovës në kontekstin e një dialogu midis Serbisë dhe Shqipërisë.
Pra, dialogu dhe bashkëpunimi midis Serbisë dhe Shqipërisë ka një profil krejt tjetër. Profili që është ka të bëjë me dialogun midis Serbisë dhe Kosovës është një profil, i cili, kërkon në radhë të parë, që të shërojë plagët e rënda që ka shkaktuar lufta e Serbisë në Kosovë, gjenocidi i Serbisë në Kosovë. Dhe, nga ana tjetër, të kontribuojë një relaksimi të marrëdhënieve rajonale. Padyshim, që Shqipëria mund të ndihmojë. Ne, na intereson, të zhvillojmë marrëdhënie ekonomike me Serbinë. Por, nga ana tjetër, interesat kombëtare të Serbisë janë interesa kombëtare të Serbisë. Padyshim, çdo vend dhe çdo komb punon, natyrisht, duke respektuar standardet ndërkombëtare në përmbushje të interesave kombëtare të tij. Por, interesi kombëtar i Shqipërisë është tjetër. Kështu që në këtë aspekt, ne, udhëhiqemi dhe priremi nga interesi kombëtar që është preambulë e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Çështja e interesit kombëtar është një angazhim. Besoj se duhet të jemi krenar për punën që bëjmë, për angazhimin që bëjmë për sa i takon çështjes së identitetit dhe interesit kombëtar.
Në Shqipëri kohëve të fundit, janë publikuar dosje kriminale të njerëzve të zgjedhur. Cili është vlerësimi juaj për këtë gjendje?
Çdo përfshirje në akte të kundërligjshme dhe deri në akte kriminale është një përfshirje individuale. Kushdo individë, i cili ka kryer një akt në kundërshtim me ligjet e vendit, në kundërshtim me standardet, kushdo që ka kryer një veprimtari të caktuar kriminale, padiskutim, që mban përgjegjësi individuale. Kjo përgjegjësi mbahet në raport me ligjin. Nuk mund të gjykoj dhe as të paragjykoj asnjë individ për sa kohë që këto çështje duhet të shqyrtohen nga drejtësia. Padyshim, se duhet të jetë, së pari, një drejtësi e pavarur, transparente dhe e mbështetur tërësisht në Kushtetutë dhe në ligj. Ndërsa, raporti në parim: individ-ligj; individë-institucione ligjore, kjo padyshim është çështje e domosdoshme dhe pjesë e kulturës shtetërore dhe ligjore.
Si ta parandaloni shfaqjen e njollave të bardha në rroba pas...
Parashikimi i motit – Mjegull në fundjavë dhe ditëve të para...
Bologna në finalen e Superkupës së Italisë, fiton dramën nda...
Shkretëtira e Arabisë Saudite zbardhet nga dëbora
Dy automjete përplasen në aksin Lezhë-Shkodër, lëndohen drej...
Festat festohen edhe në kampin e KFOR-it, momenti i ngrohtë ...