Ngricat dhe bora, shkaktojnë vështirësi në të gjithë Shqipërinë

17:25 | 19 Dhjetor 2017

Temperaturat e ulta, bora dhe ngricat e kanë detyruar policinë të bllokojë disa segmente rrugore për shkak se drejtuesit e mjeteve kanë hasur vështirësi në qarkullim.

Reshjet e dëborës kanë shkaktuar kështu vështirësitë e para nga jugu në veri, ku Qafë Thora mbetet e bllokuar duke izoluar banorët e Thethit.
Po ashtu është vështirësuar qarkullimi i mjeteve në Qafën e Llogarasë. Trashësia e dëborës aty arrin deri në 20 cm dhe lëvizja e mjeteve bëhet vetëm me zinxhirë. Rruga ishte e bllokuar gjatë orëve të natës dhe lëvizja në këtë aks nisi vetëm pas ndërhyrjes së firmës nënkontraktore që hodhi kripë e skorje.

Gjatë orëve të mbrëmjes së të hënës, dëbora nisi edhe në qytetin e Korçës. Në mëngjesin e së martës u shfaqën vështirësi momentale në disa rrugë, por të gjithë janë të kalueshme. Në Dardhë, dëbora ka arritur deri në 15 cm, ndërsa në Voskopojë deri në 10 cm. Drejt ketyre zonave malore në disa pjesë kërkohet përdorimi i zinxhirëve. Por problemi më i madh tashmë janë ngricat në rrugë pas uljes së ndjeshme të temperaturave

Borë në male e akull në rrugë ka edhe në qarkun e Dibrës. Drejt zonave Rurale Ostren, Trebisht e Krastë udhëtohet vetëm me zinxhirë, pasi trashësia e dëborës arrin disa cm. Në rrugët nacionale Peshkopi Bulqizë – Klos, Burrel nuk ka probleme. Policia e Dibrës ndërkohë ka shtuar forcat e shërbimit në akset rrugore opër tu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve .

Në efektin e temperaturave të ulta e reshjeve të dëborës mbetet edhe qarku i Kukësit. Lartësia e borës varion në akset rrugore nga 3 cm deri në 15 cm në rajonin e Tunelit Kalimash dhe 10 cm në Valbonë. Aktualisht të gjitha akset rrugore që përshkojnë Qarkun e Kukësit janë të qarkullueshme pa zinxhirë. Në të gjithë qarkun janë vënë në punë 14 borëpastruese 3 fadromë, për mbajtjen në gadishmëri të këtyre akseve. Ndërkohë në Tropojë vijojnë kërkimet për të gjetur trupin e Gentian Bajram Zallin i cili dyshohet se është vetëflijuar duke u hedhur në lum pasi pak ditë më parë iu dogj banesa në Tropojë

Në qarkun e Shkodrës mbetet e bllokuar Qafë Thora ku trashësia e dëborës arrin në 50 cm. Në zonat e tjera malore të Malësisë së Madhe, dëbora arrin deri në 15 cm, por rrugët janë të kalueshme. Reshje dëbore ka edhe në pukë por nuk raportohen problematika./lajmi.net

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara