Mot me reshje shiu dhe erëra të forta në Shqipëri

08:21 | 30 Gusht 2025
Q L

Autoritetet në Shqipëri kanë lëshuar paralajmërime të shumta për qytetarët, duke i bërë thirrje të marrin masa paraprake për shkak të përkeqësimit të motit gjatë fundjavës. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, nga 29 gushti deri më 2 shtator priten reshje shiu me intensitet të lartë dhe erëra të forta.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka bërë një apel publik për qytetarët që të evitojnë lëvizjet e panevojshme, sidomos në zonat me rrezik përmbytjeje. Ajo garantoi se strukturat e Bashkisë dhe Emergjencat Civile janë në gatishmëri të shtuar për të menaxhuar situatën.

Edhe Policia e Shtetit i bashkohet kësaj thirrjeje, duke apeluar për kujdes maksimal në rrugë. Për shkak të reshjeve të shiut, Policia Rrugore kërkon nga drejtuesit e mjeteve të reduktojnë shpejtësinë, të shmangin drejtimin nën efektin e alkoolit, dhe të përdorin rripin e sigurimit. Për drejtuesit e motomjeteve, biçikletave dhe monopatinave, theksohet rëndësia e përdorimit të jelekëve fosforeshentë dhe kaskës mbrojtëse.

Ndalohet lundrimi në det në Sarandë

Nga ana tjetër, Kapiteneria e Portit të Sarandës ka ndaluar daljen në det të të gjitha mjeteve lundruese, përfshirë ato turistike, peshkarexhat dhe skafet e vogla. Ndalimi, që hyn në fuqi nga 30 gushti, ora 06:00, do të jetë në fuqi derisa kushtet atmosferike të përmirësohen. Kapiteneria paralajmëron se mosrespektimi i këtij urdhri përbën shkelje ligjore dhe do të ndëshkohet.

Autoritetet bëjnë me dije se në rast nevoje, qytetarët mund të kontaktojnë në numrat e emergjencës: 112 (Emergjencat Civile), 127 (Urgjenca Mjekësore) dhe 128 (Policia)./rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale