Ministria e Shëndetësisë shpërfill mesazhet e Kryeministrit, lë pa pagë punonjësen e mbetur në Itali

19:42 | 8 Qershor 2020

Emisioni investigativ “BOOM” solli këtë të hënë denoncimin e Sabrie Lekës, një zonjë nga Kavaja cila punon prej vitesh si sanitare në maternitetin e këtij qyteti. Në 3 mars pasi ka marrë lejen e zakonshme nga puna ka udhëtuar drejt fëmijëve të saj në Itali , por për shkak të situatës ka ngelur atje.

Jo për faj të saj nuk po kthehet dot në Shqipëri, pasi nuk ka fluturime, dhe ata avion me shqiptarë që duan të riatdhesohen kanë qënë shumë të paktë, në krahasim me kërkesat e shqiptarëve atje .

Problemi i saj është paga gjatë kësaj kohe. Zonja është paguar vetëm për muajin prill, shteti e ka paguar vetëm për disa ditë të prillit, pasi pjesën tjetër ka pasur lejen e vitit 2020 dhe për muajin maj nuk e kanë paguar më.

Nga Italia vajza e zonjës i ka dërguar një mesazh kryeministrit Rama

Vajza: Kam mamanë që është bllokuar në Itali ka një muaj, është punonjëse në spital , leja i mbaroi, babin e kam pensionist si i bëhet për t`u kthyer dhe a i takon rroga meqenëse nuk është faji i saj që s`kthehet dot në punë?

Ndërkohë kryeministri Rama i shkruan se i takon pagesa.  Zonjën nuk e kanë paguar për majin, me arsyetimin të vinte, me avionët e riatdhesimit.

Për informacion mbi zonjën Leka, “BOOM” iu drejtua Spitalit të Kavajës ku u takua me drejtorin Përparim Daiu. Sipas tij, janë dy punonjëse, pra znj.Sabrie dhe një infermiere që kanë ikur dhe kanë mbetur jashtë njëra në Itali, tjetra në Gjermani.

Sipas  tij janë konsultuar edhe me ministrinë dhe ka qenë pikërisht urdhri i tyre të mos paguhen por të kthehen në vendin e punës me avionët e riatdhesimit.

Përparim Daiu: Sabrie Leka është larguar jashtë Shqipërise me lejen e zakonshme të 2019, e ka ezauruar lejen dhe ka ngelur në Itali me rastin e masave të Covidit dhe ndërprerjes së udhëtimeve. I gjendur përballë këtij fakti edhe kryeministri e ka bërë shumë të qartë për pagën e luftës dhe këta janë paguar dhe muajin mars dhe prill.

“BOOM” vendosi të pyes  zonjën Leka në Itali nëse ka bërë përpjekje për t`u kthyer në Shqipëri, dhe ku është pengesa që nuk vjen. Zonja deklaron se nuk gjen dot biletë dhe nuk ka me çfarë të kthehet.

Sabrie Leka: Po, ka bërë nusja përpjekje për tu rikthyer me Air –Albanian dhe nuk ka bileta. Dhe këto 3 ditë që e nxori Edi që tha më 28-29 (maj) e mori prapë, bileta nuk ka. Edhe çuni ka bërë përpjekje ka marrë ministrinë, ka marrë ambasadën nuk e kanë hap, kështu që unë s`kam me çfarë të vij. Kam mbetur këtu, kam tre muaj këtu. Qysh bëhet halli? Nuk dimë ça të marrim për bileta.

Për të kuptuar nëse vërtetë zonja e ka të mundur të riatdhesohet, se shteti thotë ajo ka mundësi të vijë dhe nuk po vjen, ndaj ne nuk kemi si ta paguajnë, ne vendosëm të telefonojmë vetë Air – Albania.

Na doli siç thotë zonja jo siç thotë shteti. Bileta nuk ka. Datë fluturimesh për riatdhesim tjetër nuk ka.

Gazetarja: Përshëndetje! Interesohemi për një zonjë, kërkon ndihmë për tu riatdhesuar, për tu kthyer në Shqipëri , ndodhet në Itali. Kur është udhëtimi i rradhës Itali-Shqipëri, nga cili aeroport  dhe a ka bileta të lira për të rezervuar ju lutem?

Punonjësja e Air Albania: Nuk na është konfirmuar ende një datë tjetër me fluturimet e riatdhesimit dhe këto data nga Roma dhe Milano nuk kanë më vende të lira.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara