Ministria e Mbrojtjes njoftim për situatën e zjarreve: 4 vatrat më aktive

11:19 | 18 Gusht 2025
Gita

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur sot se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 23 vatra zjarri në territorin e vendit. Nga këto, 16 janë shuar, 4 mbeten ende aktive, ndërsa 3 të tjera janë nën monitorim.

“Falë ndërhyrjes së strukturave zjarrfikëse, Forcave të Armatosura dhe autoriteteve vendore, 16 vatra janë izoluar dhe shuar plotësisht,” thuhet në njoftimin e Ministrisë. Më tej, theksohet se puna në terren vijon në zonat ku zjarret ende nuk janë neutralizuar.

Sipas raportit zyrtar, zjarret e shuara janë në Gramsh, Vlorë, Skrapar, Përmet, Durrës, Krujë, Memaliaj, Shkodër, Patos, Delvinë dhe Elbasan. Ndërkohë, situata paraqitet më problematike në disa bashki të veriut dhe juglindjes së vendit.

“Në Fushë-Arrëz, vatrat e zjarrit në fshatrat Xeth, Kolumri dhe Trun vijojnë të jenë jashtë kontrollit për shkak të terrenit të thyer. Në terren janë angazhuar strukturat vendore dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura me një mjet zjarrfikës,” sqaron Ministria e Mbrojtjes.

Ndërkohë në Parkun Natyror të Gërmenjit në Kolonjë, zjarri vijon të përhapet drejt kufirit.

“Në këtë zonë po punojnë forcat zjarrfikëse, strukturat pyjore, Agjencia e Zonave të Mbrojtura, bashkia dhe 30 ushtarë të repartit të Drenovës,” nënvizohet në njoftim.

Edhe në Bulqizë, ku janë evidentuar disa vatra në Tërnovë dhe Val, vijon monitorimi dhe ndërhyrja nga zjarrfikësit, pyjorët dhe banorët e zonës. Situata mbetet e ndjeshme edhe në disa fshatra të Tiranës dhe Delvinës, ku zjarret janë minimizuar por mbahen nën vëzhgim.

“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, shërbimet zjarrfikëse, strukturat vendore dhe banorët, vijon punën për neutralizimin e plotë të vatrave dhe për mbrojtjen e komuniteteve,” përfundon njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes.