Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka dekretuar datën 12 shtator për mbledhjen e Legjislaturës XI të Kuvendit. Seanca e parë e Parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 11 majit pritet të fillojë në orën 10:00.
Në zgjedhjet parlamentare, Partia Socialiste mori 83 mandate deputetësh, Partia Demokratike dhe aleatët siguruan 50 mandate, 3 mandate fitoi Partia Socialdemokrate, 2 mandate mori Partia Mundësia dhe nga një mandat secila morën Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.
Presidenti Bajram Begaj u është drejtuar me një mesazh të gjithë deputetëve, duke u kërkuar që të përmbushin angazhimet e tyre teksa vendi është përpara një momenti historik, anëtarësimi në Bashkimin Europian.
“Prioriteti madhor i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët dhe vendi, si ato të sigurisë, drejtësisë, demografisë, ekonomisë, zhvillimit të qëndrueshëm, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të qëndrueshme. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces transformues dhe i rëndësishëm strategjik, që kërkon reforma të thella dhe angazhim të palëkundur. Përmes punës së përditshme dhe vendimmarrjeve tuaja duhet të përmbushim çdo kriter dhe të përballemi me çdo sfidë për Shqipërinë anëtare në Bashkimin Evropian”, thotë Begaj mes të tjerash.
Nga mazhoranca socialiste, Begaj kërkon përgjegjshmëri dhe përulësi në ushtrimin e pushtetit, ndërsa nga opozita kërkon që të jetë aktive, konstruktive dhe e përkushtuar ndaj rolit të saj.
“Dialogu dhe respekti për dallimet janë themel i bashkëjetesës demokratike”, thekson Presidenti.
Ndërkohë, kujtojmë se një ditë para mbledhjes së Parlamentit të ri, më 11 shtator, do të zhvillohet edhe Asambleja e PS-së, ku kryeministri Edi Rama pritet të prezantojë kabinetin e ri qeveritar.
Çfarë pritet të ndodhë në seancën e parë
Seanca e parë konstituive do të hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër i Kuvendit. Në këtë legjislaturë, këtë atribut do e ketë fillimisht kreu i demokratëve, Sali Berisha, i cili ka deklaruar se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Në rast se do të refuzojë, siç e ka deklaruar, drejtimin mund ta marrë deputeti Tritan Shehu ose socialisti Vasil Llajo.
Më pas, tre deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit.
Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre. Kuvendi zgjedh një Komision të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit që të shqyrtojë dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda dy ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit.
Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin. Menjëherë pas kryerjes së betimit nga deputetët, procedohet me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit. Kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së gjithë deputetëve të Kuvendit.
Mesazhi i plotë i Presidentit Begaj drejtuar deputetëve të Kuvendit
Mbledhja e parë e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit do të mbahet më 12 shtator 2025, në orën 10:00, duke hapur një faqe të re në jetën institucionale të Republikës së Shqipërisë.
Kuvendi është simbol i demokracisë, është hapësira ku ju, të nderuar deputetë, do t’i përkushtoheni përgjegjësisë dhe angazhimeve të marra, është hapësira ku duhet të dëgjohen dhe të respektohen zërat e të gjithë shqiptarëve.
Shqipëria ndodhet përpara një momenti historik në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në përmbushjen e këtij prioriteti madhor Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të jetë përfaqësuesi i vizionit dhe aspiratës së shqiptarëve për një Shqipëri evropiane.
Të nderuar deputetë,
Legjislatura e re ka përgjegjësinë e vazhdimit të reformave, ndërlidhjes së funksionit ligjvënës me prioritetet dhe sfidat e vendit, përditësimit të vazhdueshëm të legjislacionit, kontrollit dhe mbikëqyrjes së qeverisjes, respektimit të normave kushtetuese, transparencës, diskutimeve konstruktive, bashkëpunimit, si dhe vendimmarrjes me urtësi në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, interesave dhe të ardhmes së vendit.
Kjo legjislaturë bashkon deputetë me përvojë dhe të rinj të zgjedhur për herë të parë. Vazhdimësia dhe përvoja e kombinuar me mendësi, ide, energji dhe frymë të re është pjesë e natyrshme e proceseve demokratike.
Përgjegjshmëria dhe përulësia nga mazhoranca në ushtrimin e pushtetit duhet të përplotësohet nga një opozitë aktive, konstruktive dhe e përkushtuar ndaj rolit të saj thelbësor në një demokraci. Dialogu dhe respekti për dallimet janë themel i bashkëjetesës demokratike.
Të nderuar deputetë,
Procesi ligjvënës dhe cilësia e ligjeve duhet të pasqyrojnë nevojat reale të shoqërisë sonë, sfidat e zhvillimit dhe përpjekjet për drejtësi e mundësi të barabarta. Shoqëria civile, media, bota akademike, profesionistët dhe aktorë të tjerë duhen të jenë edhe më shumë të përfshirë në këtë proces. Ata janë pjesë e së njëjtës përpjekje për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë dhe më të zhvilluar.
Prioriteti madhor i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët dhe vendi, si ato të sigurisë, drejtësisë, demografisë, ekonomisë, zhvillimit të qëndrueshëm, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të qëndrueshme.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces transformues dhe i rëndësishëm strategjik, që kërkon reforma të thella dhe angazhim të palëkundur. Përmes punës së përditshme dhe vendimmarrjeve tuaja duhet të përmbushim çdo kriter dhe të përballemi me çdo sfidë për Shqipërinë anëtare në Bashkimin Evropian.
Me rëndësi madhore për të ardhmen evropiane të vendit është kalimi nga reforma në drejtësi, te drejtësia funksionale dhe e pavarur, ku askush nuk është mbi ligjin dhe me vendosmëri luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Ndërsa jemi të angazhuar në këtë proces, Shqipëria duhet të vazhdojë përfaqësimin dinjitoz në marrëdhëniet ndërkombëtare në linjë me partnerët tanë strategjikë: BE, SHBA, NATO.
Shqipëria do të jetë e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës dhe shqiptarëve në rajon dhe kudo, faktor proaktiv paqeje, dialogu e zhvillimi pozitiv e të gjithanshëm. Me rolin tonë urëndërtues të paqes në rajon, me cilësitë tona unike të vëllazërisë fetare, ne mund të ofrojmë ekspertizë konstruktive, nisma inovative dhe shembull frymëzues.
Të nderuar deputetë,
Secili prej jush ka marrë një besim të çmuar nga qytetarët. Kjo është koha ta ktheni atë besim në veprim. Shqiptarët presin rezultate konkrete, përmirësim të jetës së përditshme, mirëqeverisje dhe zhvillim që sjell mirëqenie.
Mbetem gjithmonë i gatshëm për të bashkëpunuar dhe mbështetur çdo nismë e dialog institucional në shërbim të sfidave të përbashkëta.
Suksese deputetëve dhe legjislaturës së re të Kuvendit, me Shqipërinë në mendje e zemër!
/rtsh.al/
Orav përshëndet konsolidimin e qeverisjes lokale në 20 komun...
Qeveria britanike ofron deri në 3000 paund për emigrantët sh...
Gjermania hedh poshtë pretendimet e SHBA për Evropën: Ne nuk...
BE mirëpret betimin e kryetarëve në komunat e veriut
Osmani uron Tajlandën për Ditën Kombëtare: Mezi pres të forc...
Milaim Zeka paraqitet në SPAK