Masa e sigurisë, Berisha: SPAK mbajti peng vendimin për arrestim bosëve të drogës

10:33 | 2 Qershor 2025
Gita

Kreu i PD, Sali Berisha, ishte edhe këtë të hënë në SPAK në lidhje me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndërsa para ambienteve të kësaj godine ndodheshin dhe disa mbështetës të tij.

Ai qëndroi për 5 minuta në SPAK dhe në dalje dha një deklaratë për mediat ku bëri akuza ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e etiketuar atë si “Altin Troplini”, pasi sipas tij Dumani ka mbajtur për 22 ditë fletën e arrestimit për grupin e goditur nga Italia dhe SPAK-u.

“Kjo zyrë shteti, që paguhet me pagat më të larta në Ballkan, paguhet 7 mijë euro prokurori për metitën e veçantë që komunikojnë dhe bëjnë pazare me kriminelë. Do të shpallet seksioni i kartelit ‘Troplini’. Do të shpallet seksioni i kartelit më të fuqishëm të drogës në Europë, karteli që administron portin kryesor të vendit, portin e Durrësit. Në shënimin që i lashë “Altin Troplinit” e informova se sot e tutje do ta quajmë “Altin Troplini”, kjo për arsye të forta ligjore, sepse ky bashkëpunëtor i kartelit më të rrezikshëm dhe fuqishëm në Europë mbajti në zyrën e tij për 22 ditë vendimin e gjykatës për arrestimin e Troplinit apo Pojave, sepse ashtu quhet ky kartel droge. Jo vetëm e mbajti 22 ditë, por e dërgoi për ekzekutim pasi Xhevdeti dhe Elvisi kishin mbërritur në destinacionet e tyre, dhe sot janë të lirë, duke kontrolluar nga vendodhjet e tyre portin e Durrësit dhe trafikun e kokainës. Për këtë arsye unë i lashë këtë shënim”, tha Berisha.

Të ngjashme