Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Durrës deklaron se LSI në këtë qytet do të jetë surpriza më e madhe e fitores së 25 prillit.
Në një intervistë për “Koha Jonë”, Kuçi shprehet se fitorja e madhe do të nisë në Durrës e do të festohet në të gjithë Shqipërinë.
Zonja Kuçi, Durrësi është qyteti i dytë në vend jo vetëm nga popullsia por edhe nga rëndësia, cila është platforma politike dhe elektorale e LSI për këtë qytet?
LSI Durrës e bazon platformën e saj politike bazuar së pari mbi qëllimin për t’ia kthyer Durrësin banorëve. Prej vitesh Durrësi është marrë peng nga mafia e lidhur me pushtetin e që më pas u shndërrua në mafian e ulur në pushtet. Më 25 prill ne do ia kthejmë Durrësin tonë banorëve dhe familjeve të thjeshta sepse vetëm atyre u përket drejtimi i qytetit.
Durrësi është i shkatërruar si nga ekonomia, urbanistika, turizmi por mbi të gjitha nga mungesa e shpresës. Qyteti ynë është shndërruar tragjikisht në simbol kombëtar të betonizimit, ilustrim se si një qytet me vlera historike, arkeologjike dhe kulturore mund të vritet.
Dikur taverna e Adriatikut tashmë është një bllok betoni, pa as edhe një park, pa asnjë projekt zhvillimor, me të ardhura për qytetarët vetëm nga fasoneria dhe callcenters. Aq brutale ka qenë mafia e ndërtimit saqë edhe gjetjet arkeologjike, ato me vlera mijëvjeçare janë mbuluar qëllimisht me beton.
Rinia e Durrësit është e papunë. Shtresa e mesme gjendet në kushtet e mbijetesës. Bizneset e vogla në faliment dhe sektori i turizmit gati në mbyllje.
Kjo situatë duhet të mbarojë dhe më 25 prill banorët e Durrësit do i japin ndëshkimin më të madh sektit të betonit dhe korrupsionit që e shkatërroi Durrësin dhe mbarë Shqipërinë.
Platforma jonë politike është punësim, mbështetje për biznesin dhe sektorin e turizmin, krijimin e mundësive për startup-e sidomos nga të rinjtë, paketa fiskale të favorshme për biznesin e madh dhe të vogël, dhe mbi të gjitha pjesmarrje e qytetarëve në vendimmarrje. Durrësi i qytetarisë dhe jo i babëzisë. Durrësi i vlerave dhe jo mafias së betonit dhe plehrave. Durrësi i banorëve të thjeshtë.
Ju jeni shprehur dhe e keni denoncuar faktin se në Durrës faturat mujore të ujit janë më të lartat në vend. Çfarë problemesh të tjera ka Durrësi?
Banorët e Durrësit paguajnë faturat e ujit më të larta në vend.Faturat mujore të ujit për familjet e Durrësit shkojnë deri mbi 5,000 lekë të reja dhe madje gjatë periudhës së karantinës arritën deri në 7,000 lekë të reja për klientët familjarë.
Në Durrës abuzohet me faturat e ujit por edhe me të energjisë elektrike. Pavarësisht se Durrësi u godit rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe efektet e pandemisë mbi familjet dhe biznesin e Durrësit ishin të rënda qeveria dhe bashkia nuk bënë asgjë për familjet e thjeshta dhe bizneset.
Trefishimi i faturave të ujit është zhvatje dhe rëndesë edhe më e madhe për banorët. Në pikun e pandemisë qeveria miratoi strategjinë kombëtare për sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve 2020-2030 duke e rritur me 75% tarifën e ujit deri në vitin 2030 me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë financiare të shoqërive Ujësjellës Kanalizimeve.
Të papunët, pensionistët, nuk mund ta përballojnë një faturim të tillë. E gjithë paga apo pensioni i tyre shkon vetëm për faturën e ujit dhe dritave. Pjesa më e madhe e banorëve jetojnë në varfëri dhe kushte mbijetese.
Durrësi ka probleme në të gjithë sektorët e jetës. Largimi i rinisë është problem madhor. Abuzimet me fondet e rindërtimit, familjet që jetojnë ende në çadra pas një viti që nga tërmeti i vitit të kaluar, kanalizimet dhe përmbytja e qytetit sa herë që bie shi, janë problemet më madhore dhe imediate.
Duhet politikë e re. Qeverisje e re. Filozofi e re drejtimi. Për t’i shërbyer qytetarëve dhe jo për ti zhvatur e shtypur ata.Banorët e Durrësit nuk e meritojnë këtë shtypje e varfëri ndaj edhe më 25 prill do i japin shuplakën më të rëndë mafias që është ulur në qeveri dhe bashki.
Kush e menaxhon fushatën elektorale të LSI në Durrës?
Fushatën e LSI në Durrës e menaxhojnë vetë banorët e Durrësit. Janë shqetësimet e tyre ato që na udhëheqin në politikat tona. Ne jemi vetëm zëri i tyre dhe punojmë që t’i shërbejmë sa më mirë. LSI Durrës po përjeton një revolucion.
Elita e qytetit është bashkuar me ne. Intelektualë, mjekë, ekonomistë, juristë, inxhinierë, pedagogë, artistë dhe sportistë janë bërë e ekipit tonë ndaj ne kemi ekspertizën e duhur për t’i shërbyer Durrësit sa më mirë. Kjo qytetari dhe profesionalizëm është çelësi i fitores sonë të madhe.
Çfarë rezultati zgjedhor prisni në Durrës më 25 prill?
LSI Durrës do jetë surpriza më e madhe e fitores së 25 prillit. Fitorja e madhe do nisë në Durrës dhe do festohet në të gjithë Shqipërinë.
“Koha po mbaron”, Trump kërcënon Iranin
Përfshihet nga zjarri një lokal në Rrugën B, zjarrfikësit në...
27 vjet nga masakra në Rogovë të Hasit
Irani është “praktikisht i pambrojtur” nëse SHBA-ja e sulmon
Plenkoviç: Kroacia nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes
Sot i jepet lamtumira e fundit vogëlushit që vdiq tragjikish...