Këmbimi valutor, leku zhvlerësohet ndaj valutave kryesore

19:07 | 20 Mars 2016
M. A.

Në tregun e këmbimit valutor këtë fundjavë, monedha e Shqipërisë, Lek-u është zhvlerësuar kundrejt të gjitha valutave. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, dollari ka vijuar rritjen e tij, duke shënuar vlerën e 122.87 lekë, ose me 0.67 lekë më shumë se një ditë më parë. Ndërsa euro ka shënuar një rritje prej 0.10 lekë, duke u këmbyer me 138.34 lekë.

Këtë fundjavë në këmbim me lekun ka forcuar pozitat edhe funta britanike, franga zviceriane, dollari kanadez, dhe korona norvegjeze, shkruan ATSh.

Ekspertët kanë thënë se ecuria në tregun vendas reflekton lëvizjet e këmbimit valutor në bursat ndërkombëtare. Ndërsa sipas tyre, kërkesë-oferta për valutë, patjetër që dominon pozitat e euros dhe dollarit kundrejt lekut.

Forcimi i monedhës amerikane është një fenomen që po ndodh edhe në tregjet ndërkombëtare valutore, ku monedha Euro vlerësohet se e ka filluar vitin 2015 në pikën e saj më të ulët krahas dollarit amerikan, në dy vitet e fundit. Sipas tyre, monedha e cila përdoret nga 19 shtete evropiane, ruan pozita të forta në tregun vendas si pasojë e kërkesë-ofertës, ndonëse në tregjet ndërkombëtare pozitat e saj ndaj dollarit janë dobësuar.

Shpërndaje në rrjete sociale