Shqipëria shënon sot një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, teksa në Bruksel zhvillohet Konferenca e IX Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, ku pritet të zyrtarizohet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit.
Përpara mbërritjes në Bruksel, Kryeministri Rama ndodhet në Paris, ku po zhvillon një vizitë me ftesë të Presidentit francez Emmanuel Macron. Ai mori pjesë në një darkë pune kushtuar mbështetjes për Ukrainën, ndërsa paraditen e 14 korrikut do jetë i pranishëm edhe në Paradën Ushtarake me rastin e Festës Kombëtare të Francës. Pas përfundimit të axhendës në Paris, kreu i qeverisë do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në Konferencën e IX Ndërqeveritare Shqipëri–BE.
Delegacioni shqiptar do të kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, i cili do të marrë pjesë në konferencën që do të zhvillohet në ambientet e Këshillit të Bashkimit Europian, duke nisur rreth orës 19:00.
Në këtë konferencë pritet të mbyllen zyrtarisht Kapitulli 25 “Kërkimi shkencor”, Kapitulli 26 “Arsimi dhe kultura” dhe Kapitulli 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”, duke shënuar herën e parë që Shqipëria kalon nga faza e hapjes së kapitujve në atë të mbylljes së tyre.
Gjatë konferencës, Kryeministri Rama pritet të mbajë një fjalë përpara përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në aktivitet do të jenë të pranishëm edhe ministri i Jashtëm i Irlandës, vendi që mban presidencën e radhës së Këshillit të BE-së, si dhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos. Në përfundim të takimit është parashikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp, rreth orës 20:00.
Mbyllja e tre kapitujve të parë realizohet gjatë presidencës irlandeze të Këshillit të Bashkimit Europian, e cila do të zgjasë deri më 31 dhjetor të këtij viti. Autoritetet shqiptare e konsiderojnë këtë një etapë të re të negociatave, me synimin që procesi i mbylljes së kapitujve të vijojë sipas kalendarit të dakordësuar me Brukselin deri në vitin 2027.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët se agjenda e integrimit është koordinuar me institucionet europiane dhe se objektivi mbetet përmbyllja e negociatave brenda afateve të përcaktuara, në mënyrë që më pas vendet anëtare të Bashkimit Europian të ratifikojnë në parlamentet e tyre traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë./rtsh.al/
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...
Pesë persona arrestohen pas sekuestrimit të armëve në rajoni...
“Nëna Salë dhe gjyshi Hamit të krijuar në copa letre”, i riu...
Pas Uellsit edhe Federata e Futbollit gati për t’i hequr mbë...
Zjarr në një shtëpi në Prishtinë
Ylli i Man Unitedit entuziazmon tifozët: Mund ta fitojmë Lig...