Një gjykatë në Shkodër të Shqipërisë e ka pranuar të martën kërkesën e Rusisë për ekstradimin e shtetasit rus, Igor Kokunov, i cili dyshohet si “bashkëpunëtor apo mbështetës i një autori të veprave të rënda penale në Rusi”.
Kokunov, 59 vjeç, ishte arrestuar më 28 gusht të këtij viti pikëkalimin kufitar Muriqan, në veriperëndim të Shqipërisë.
Në atë kohë, Policia e Shqipërisë kishte thënë se Konkunovi “është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Moska, pasi autoritetet ruse i kanë caktuar masën e sigurisë ‘arrest në burg’”.
Avokati i tij mbrojtës, Isuf Shehu, tha se do të ankohet në Gjykatën e Apelit ndaj këtij vendimi.
“Kërkojmë të mos ekstradohet dhe kjo lidhet me arsye humanitare. Në Rusi nuk garantohet e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, dhe ka keqtrajtime në paraburgime dhe në burgje”, tha Shehu.
I pyetur për praninë e lartë të forcave të Policisë dhe të atyre operacionale pranë gjykatës kur po zhvillohej seanca ndaj Kokunov, Shehu tha se “është e tepruar”, dhe se shtetasi rus “nuk përbën rrezikshmëri.”
Ai, gjithashtu, mohoi edhe raportimet në mediat shqiptare se “Kokunov është pjesë e grupeve të rrezikshme kriminale që veprojnë edhe në Ballkan”.
Operacioni për arrestimin e tij në gusht të këtij viti u kodua “Moscow” dhe u zhvillua në bazë të informacioneve të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Moska./rel
Eskalon debati në Big Brother VIP Albania 5
Fshehur në ngarkesën me arra, sekuestrohen 435 kg kokainë në...
Rritja e Nico Paz në Serie A, por edhe emra tjerë nuk mbeten...
Vuçiq thotë se ka pritur më shumë nga Trumpi
Shqipëria s’do ta rrisë çmimin e rrymës më 2026, thotë Karak...
Moti nesër dhe ditëve në vazhdim