Gjykata dënon me 16 vite burg autorin, familja Cani: Drejtësia foli me zë të qartë për Martinin

15:03 | 9 Dhjetor 2025
E.G

Gjykata e Tiranës dënoi me 16 vite burg të miturin Mario Përlleshaj, autorin e vrasjes së 16-vjeçarit Martin Cani dhe plagosjes së shokut të tij, Luisit. Vendimi u dha pas më shumë se një viti hetimesh dhe dhimbjeje për familjen e viktimës.

Pas shpalljes së vendimit, familja Cani reagoi publikisht, duke e cilësuar atë “akt kurajoz dhe të drejtë”, dhe falënderuan gjyqtarët për “integritetin dhe ndershmërinë”, duke theksuar se vendimi nuk ua kthen dot Martinin, por u jep ndjesinë se “jeta e tij u trajtua me peshën dhe dinjitetin që meriton”.

“Sot, pas një viti dhimbjeje që nuk përshkruhet me fjalë, ne familja e Martin Canit kemi parë për herë të parë një rreze të fortë drejtësie. Gjykata vendosi të mos ndjekë rekomandimin e Prokurorisë, e cila e trajtoi ngjarjen si një vepër të vetme penale por e njohu qartë atë që ne e kemi thënë që në ditën e parë: janë DY vepra penale, vrasja e Martinit dhe tentativë vrasje ndaj Luisit. Ky vendim është një akt kurajoz, profesional dhe i drejtë.

Është një vlerësim real i asaj që ndodhi: dy fëmijë të goditur me thikë, dy akte të veçanta dhune, dy qëllime kriminale të ndara.

I falenderojmë gjyqtarët për integritetin dhe ndershmërinë e tyre, që zgjodhën të shohin të vërtetën dhe jo rrugën më të lehtë procedurale.

Ky vendim nuk na e kthen dot Martinin, por na jep një ndjenjë të thellë se dhimbja jonë nuk u shpërfill dhe se jeta e tij u trajtua me peshën dhe dinjitetin që meriton.

Sot, Martini është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë.

Ne do të vazhdojmë misionin tone me:

• Muzeun “Martin Cani”, një vend i kujtesës dhe edukimit.

• Filmin mbi jetën e tij, që do të mbajë gjallë ëndrrën e tij të futbollit dhe të ardhmes që nuk arriti ta jetojë.

• Fondacionin Martin Cani, që do të luftojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla, që askush të mos përjetojë atë që kaluam ne.

Falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë qëndruar pranë nesh. Sot, drejtësia foli me zë të qartë për Martin Canin”, thuhet në reagimin e familjes Cani.

/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme