Forcimi i kontrollit mbi territorin, Rama: Detyrim ligjor regjistrimi i hapësirave publike

12:56 | 3 Tetor 2025
E.K

Masat e ndërmarra nga qeveria për forcimin e kontrollit mbi territorin dhe mbrojtjen e hapësirave publike kanë hyrë në fuqi, teksa kryeministri Edi Rama ka theksua se këto masa do të krijojnë kushtet për disiplinim të të gjithë procesit të ndërtimit. Në një deklaratë për mediat, ku të pranishëm ishin edhe Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, dhe Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, Rama tha se do të ketë ndëshkimin të rëndë për ndërtime të paligjshme.

Inventarizimi dhe regjistrimi i hapësirave publike do të jetë tashmë një detyrim ligjor, teksa Rama theksoi se çdo metër katror rreth një ndërtese që i jepet përdorimit publik nuk do të konsiderohet më pronë private.

“Deri më sot nuk ka qenë rregulli i regjistrimit të hapësirës publike, sot me këtë masë të re hyn në fuqi si një detyrim ligjor regjistrimi i hapësirë publike. Kur kemi një zhvillim të caktuar mbi një pronë private, për një godinë e cila pastaj ju jepet një numri të caktuar familjesh apo biznesesh, çdo metër katror rreth e rrotull asaj godine nuk është më pronë private, është pronë publike. Nuk mund të ketë aty leje të tjera për privatin”, tha Rama.

Po ashtu ai bëri me dije se nuk do të lejohet më që qytetarët të futen në apartamente pa përfunduar objekti dhe pa u pajisur me dokumentacionin përkatës të pronësisë. Kjo praktikë, sipas Kryeministrit, është e papranueshme dhe do të ndalohet.

“Nuk do lejohet më që të merren njerëzit të futen nëpër apartamente pa përfunduar siç duhet objekti dhe pa u pajisur njerëzit me hipotekën. Futen në apartament dhe janë në shtëpinë që e kanë pagua, por nuk janë pronarë me letra, një gjë e papranueshme dhe e patolerueshme më tutje. Kjo lidhet me procesin ku janë të përfshirë aktorët institucional, që nga arkitekti, deri tek agjencia e zhvillimit të territorit apo bashkitë si edhe vetë agjencitë që garantojnë furnizimin me energji dhe ujë”, theksoi ai.

Po ashtu, ai bëri me dije se do të rritet garancia për zbatimin e projekteve arkitekturore, përmes përfshirjes detyruese me ligj të arkitektit përgjegjës në fazën e zbatimit.

“Arkitekti do të jetë subjekt ligjor dhe do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për ndjekjen e projektit, duke eliminuar presionin nga ndërtuesit për devijime të paautorizuara”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi edhe se certifikata e përdorimit do të lëshohet vetëm pas konfirmimit të përfundimit të punimeve sipas lejes së ndërtimit, përfshirë fasadën, rafiniturat dhe sistemin e jashtëm. Edhe furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të lejohet vetëm pas marrjes së certifikatës.

“Forcimi i mekanizmave të kontrollit, duke përcaktuar 4 faza të detyrueshme kontrolli nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe pastaj vjen detyrimi për dhënien e certifikatës së përdorimit nga autoriteti përgjegjës vetëm pas konfirmimit të aktit të kontrollit, që përfshin edhe përfundimin sipas lejes së ndërtimit të fasadës, rafiniturave dhe sistemit të jashtëm. Kemi shtuar edhe detyrimin që uji dhe dritat lidhen vetëm pas marrjes së certifikatës së përdorimit”, deklaroi ai.

Për ndërtimet që kanë dalë nga leja e marrë, Rama bëri me dije se do të kryhet konfiskimi i sipërfaqes së ndërtuar pa leje nëse është deri në masën 10%, dhe për shkeljet mbi masën 10% do të kryhet konfiskimi i të gjithë objektit./rtsh.al/