Arsimi shpesh vjen dhe me kosto të larta për studentët, familjet e të cilëve jo gjithmonë arrijnë të shlyejnë këto detyrime, duke bërë që të rinjtë të bëhen krah pune.
Kështu, sipas një raporti të fundit nga Eurostat-i, në vitin 2024, 25.4% e të rinjve evropianë, të moshës 15-29 vjeç, ishin të punësuar gjatë arsimit.
Sakaq, 71.4% e të rinjve nuk rezultonin në punë, teksa 3.2% ishin të papunë të cilët ishin në kërkim të një të tillë përgjatë studimeve.
Vendin e parë evropian për numrin më të lartë e të rinjve të punësuar e shënon Holanda me 74.3%, më pas Danimarka me 56.4% dge së treti Gjermania me 45.8%. shifrat më të ulëta të punësimit përgjatë kohës së studimeve e shënon Rumania me 2.4%, Greqia me 6%, si dhe Kroacia me 6.4%.
Nga ana tjetër, Suedia regjistron përqindjen më të lartë të të rinjve të cilët ishin në kërkim të një vendi punë në periudhën e arsimit, me 14.1%. Në këtë kategori, në vend të dytë vihet Findlanda me 10% dhe së treti Danimarka me 9.6%. Por, më pak se 1% të të rinjve nga Rumania, Kroacia, Çekia dhe Hungaria, kërkonin punë.
Ndryshime në gjini dhe grupmosha
Pavarësisht dëshirës apo detyrimit për punësim, ekzistojnë dallime të qarta sa i përket grupmoshave dhe gjinive që punësohen në periudhën e arsimit.
Kështu, nga grupmosha 15-19 vjeç, 74.4% e vajzave dhe 70.4% e djemve mbeten jashtë fuqisë punëtore, duke shfaqur kështu përqëndrim më të lartë në shkollim.
Nga ana tjetër, grupmosha 20-24 vjeç shënon rritje të punësimit paralelisht me periudhën e arsimit, pasi forca punëtore bie me 30.9% për vajzat dhe 24.8% për djemtë.
Por, të rinjtë e moshës 25-29 vjeç, punësimi arriti në 62% për gratë dhe 71.9% për burrat. Ky është dhe grupi që shënon përfshirjen më të madhe të të rinjve në tregun e punës të cilët njëkohësisht ndjekin dhe studimet.
Sipas përfundimeve të Eurostat, bazuar në të dhënat për vitin 2024, gratë kanë tendencë të marrin pjesë në arsimin formal më shumë se burrat në të gjitha grupmoshat dhe statuset e punësimit. Megjithatë, kur nuk janë në arsim, gratë kanë më pak gjasa të punësohen ose të kërkojnë punë.
Shqipëria dhe të rinjtë e saj drejt emigrimit
Pavarësisht se për vendin tonë nuk ka shifra ekzakte sa i përket punësimit në periudhë studimesh, bazuar në të dhënat e INSTAT-it, vajzat janë më të arsimuara se burrat.
Vajzat kanë dominuar hapësirat universitare, me përspektivën e një të ardhme më të mirë. Por, djemtë po i frekuentojnë më pak universitetet në dekadat e fundit, e kanë preferuar rrugë më të shpejta për të siguruar të ardhurat e tyre.
Sipas sociologëve, djemtë parapëlqejnë arsimin profesional, ashtu sikurse ndonjëherë zgjedhin emigrimin si mundësi për të ardhura më të mira.
Sipas INSTAT, vajzat diplomohen më shumë në fushat e biznesit, administrimit dhe ligjit, shëndetit, shkencave sociale dhe gazetarisë. Ndërsa djemtë kryesisht në inxhinieri, prodhim dhe ndërtim, biznes, si dhe teknologji të informacionit dhe komunikimit.
Duke u ndalur tek emigrimi, sipas të dhënave të Ces Hub i Bashkimit Evropian, mosha e shqiptarëve të emigruar është mjaft e re. Nga 70% e shqiptarëve që jetojnë në vendet e BE-së janë deri në 45-vjeç. Kështu, mbi 60% e emigrantëve shqiptarë janë në moshë pune aktive, pra 15-49 vjeç.
Kjo peshë është pothuajse identike si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Diçka e tillë tregon se emigracioni nuk është më një fenomen i kufizuar kryesisht te meshkujt, por ka marrë një karakter familjar dhe më të balancuar gjinor.
Duke e risjellë vëmendjen e një herë tek arsimi, viti 2024 kishte në fokus arsimin profesional, duke rezultuar në tërheqjen e shumë të rinjve në vend, sidomos për degë specifike si hoteleri-turizëm dhe IT.
Sipas AKAFPK, mbi 60% e studentëve në vitin 2024, janë punësuar pranë bizneseve lidhur me degën që ata studionin, duke marrë kualifikimet e duhura pavarësisht se nuk kishin mbaruar ende shkollën./tvklan.al
Dokument i rrallë për Skënderbeun, ekspozohet harta e vitit ...
Presidenti sirian bisedë telefonike me Trump, diskutojnë për...
Lindon Emërllahu dhe Ilir Krasniqi debutojnë me Polissya Zhy...
Daka: Asnjëherë s’ka ndodhur me pasë 6 mijë vota dallim për ...
Danimarka forcon ndjeshëm praninë e saj ushtarake në Grenlan...
“Renditja flet vetë, ne duhet ta mposhtim Kosovën” – M...