Detaje të reja nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/31 fishekë u gjetën në makinën e xhaxhait të Elvis Shkambit

15:29 | 18 Tetor 2025
E.K

31 fishekë, të kalibrit 9 milimetra, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale në automjetin “Mercedes Benz” në pronësi të Gjon Shkambit. Ditën e ngjarjes, me këtë automjet kishin ardhur nga Shkodra në drejtim të Tiranës Gjon dhe Elvis Shkambi. Ky i fundit është arrestuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.

Klan News ka siguruar vendimin e gjykatës për caktimin e masave të sigurimit ndaj të dyshuarve.

Në deklarimet e dhëna përballë hetuesve, autori i dyshuar i vrasjes së gjyqtarit ka shpjeguar me detaje të gjithë itinerarin e lëvizjes.

Ata janë nisur nga Shkodra në orën 09:00, kanë ndaluar në Lezhë për të pirë një kafe për një vaki dhe më pas kanë shkuar në Gjykatën e Lartë, pasi do të dorëzonin disa dokumente dhe në fund kanë shkuar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Shkambi jep detaje për atë se çfarë ka ndodhur.

“Nuk kam dashur të qëlloj në drejtim të R.K dhe djalit të tij, pasi me ta nuk kisha asnjë lloj problemi. Mund t’i kisha vrarë edhe në Shkodër ata, po të doja. Më pas jam afruar te gjyqtari për ta parë dhe mbaj mend që ai ishte i shtrirë në dyshemenë e sallës. Ishte gjallë dhe i vetëdijshëm. Kur po e shikoja gjyqtarin, pranë tij ishte sekretarja gjyqësore, e cila i ka thënë disa herë “të lutem, të lutem”, e frikësuar, dhe i kam thënë asaj të qetësohej, sepse nuk kishte punë me të”.

Më pas, Elvis Shkambi shpjegon se pasi ka dalë nga salla, i ka kërkuar xhaxhait të tij, Gjon Shkambi, që të largohej, pasi ai nuk kishte lidhje me vrasjen e gjyqtarit.

“Pasi kam dalë në oborr së bashku me xhaxhain, i kam dhënë atij çelësat e makinës, duke i kërkuar që të largohej, pasi ai nuk kishte punë. Por ai nuk u largua. Xhaxhai, në momentin që kam qëlluar në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja, ka qenë pranë meje. Ai ka qëndruar i shokuar në sallë, pa kryer asnjë veprim. Ai ka qenë gjatë tërë kohës i shokuar dhe në gjendje të rënduar psikologjike, duke më thënë: “Na fike!”

Elvis Shkambi ka shpjeguar se armën me të cilën kreu krimin e kishte prej 10 vitesh, por nuk e kishte përdorur asnjëherë. Po ashtu, ka treguar se në çdo seancë gjyqësore ka qenë me armë në brez. I armatosur, ai kishte vajtur në të gjitha institucionet ku kishte trokitur për të kërkuar të drejtën e tij. Kur ka qëlluar ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja, ai ka pretenduar se ka ndjerë urrejtje për vendimin që mori, por më pas, kur ka logjikuar, është penduar.

Gjon Shkambi nuk ka dhënë shpjegime para hetuesve, duke pretenduar se janë duke e marrë në qafë, pasi ai nuk ka lidhje me vrasjen.