Berisha: S’jemi tërhequr nga kontrata e lobimit me SHBA, s’ka lidhje me zgjedhjet

16:28 | 20 Maj 2025
E.G

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot hodhi akuza ndaj procesit zgjedhor të 11 majit, duke e cilësuar atë “si të manipuluar dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe kushtetuese”.

Gjatë konferencës për shtyp, Berisha u pyet edhe për partitë aleate, nëse e justifikojnë besimin për 7 deputetë të sigurtë në Kuvend. Por Berisha theksoi se nuk kishte zgjedhje, por ishte një farsë.

“Unë ju kuptoj dhe ju jap të drejtë, gjithmonë në këto situata mund të shtrohen shumë pyetje. Por të gjitha këto, duhet parë konteksti. Në kontekstin e një farse elektorale, farsa është farsë, nuk është zgjedhje”, tha Berisha.

“Në këtë kuadër gjithçka u zhvillua në kuadrin e një farse, por kësaj here, një farse të paralajmëruar, të parathënë në 4 dokumente ndërkombëtare, shumë serioze, gjatë fushatës të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian si dhe gjatë fushatës të Këshillit të Europës”, tha Berisha.

Berisha u pyet edhe nëse do të vijojë të jetë në fuqi, kontrata e lobimit në SHBA apo do të zgjasë vetëm 3 muaj, për aq sa është parapaguar. Kryetari i PD-së theksoi se nuk është ndërprerë pasi nuk ka lidhje me zgjedhjet.

“Tani, çështje që nuk ka të bëjë me zgjedhjet. Ka të bëjë me veprimtarinë normale të PD-së, dhe ka një fondacion atdhetar, shqiptaro-amerikan që ka ofruar një shërbim nëpërmjet një kompanie, për të cilin nuk ka asnjë vendim për tu tërhequr, por që ekziston një klauzolë që në çdo kohë, palët mund të tërhiqen”, tha Berisha.

/atsh.al

Shpërndaje në rrjete sociale