Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në takimin e Nivelit të Lartë të Qendrës Ndërkombëtare “Nizami Ganjavi”, që u zhvillua në Harvard Club në Nju Jork. Në një forum që mblodhi kryetarë shtetesh, personalitete botërore dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, Presidenti Begaj foli mbi temën “Multilateralizmi në Udhëkryq: Sfidat dhe Rrugët drejt Paqes.”
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj u shpreh se sot, veç multilateralizmit, edhe vetë njerëzimi ndodhet në udhëkryq. Sipas tij, zgjedhja e vetme është bashkëpunimi për të ndërtuar një rend më të drejtë dhe paqësor, në mënyrë që të parandalohet rrëshqitja e botës drejt përçarjeve dhe konflikteve më të thella.
Presidenti theksoi rolin e veçantë të multilateralizmit për vendet e vogla si Shqipëria. “Për vendet e vogla si Shqipëria, multilateralizmi është themeli i sigurisë sonë dhe garancia e zërit tonë në çështjet botërore,” deklaroi Begaj.
Ai shtoi se institucionet e forta dhe gjithëpërfshirëse janë jetike, pasi në të kundërt, kombet e vogla rrezikojnë të mbyten nga “logjika e forcës mbi të drejtën”.
Duke iu referuar Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera shumëpalëshe, Presidenti nënvizoi se ato i mundësojnë Shqipërisë të kontribuojë në vendime, të mbrojë sovranitetin e saj dhe të avokojë për paqen.
Kostoja e dobësimit të sistemit ndërkombëtar
Duke analizuar situatat aktuale, si lufta në Ukrainë, konflikti në Lindjen e Mesme dhe tensione të tjera ndërkombëtare, Presidenti Begaj vlerësoi se këto janë dëshmi e kostos që paguhet kur multilateralizmi dobësohet. Për të kapërcyer mangësitë e sistemit aktual, ai sheh si zgjidhje reformimin dhe ripërtëritjen e institucioneve ndërkombëtare.
Në fund të fjalës së tij, Presidenti Begaj rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut dhe diplomacisë, duke theksuar nevojën për më shumë solidaritet.
“Pa multilateralizëm, bota jonë do të ishte më e përçarë, më e paqëndrueshme dhe më pak e drejtë,” përfundoi ai, duke shprehur vizionin e tij për institucione më gjithëpërfshirëse dhe të afta për t’iu përgjigjur shpejt krizave.
Këta janë 110 kandidatët për deputet nga VV
Gjermania përjashton njohjen e shtetit palestinez në “të ard...
Herolind Shala ndër të ftuarit e Inter Miamit në titullin ka...
‘Zarf i kuq’ në Big Brother VIP Kosova 4
Krimet e luftës, këtë muaj nisin dy procese gjyqësore ndaj 6...
Celta Vigo ia thellon krizën Real Madridit, e mposht midis &...