Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe OSBE-ja kanë reaguar duke dënuar fort ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja dhe mbi plagosjen e dy qytetarëve brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, e ndodhur sot rreth orës 15:00.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri shprehet i tronditur ndërsa ka dënuar me forcë aktin kriminal siç e ka quajtur ky institucion.
“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri është i tronditur nga akti i dhunës që çoi në vrasjen e gjyqtarit Kalaja dhe plagosjen e dy qytetarëve shqiptarë. Ne e dënojmë me forcë këtë akt kriminal,” thuhet në deklaratë.
BE shprehu ngushëllimet më të thella për familjen e gjyqtarit Kalaja dhe theksoi nevojën e menjëhershme për rritjen e sigurisë.
“Kjo tragjedi nënvizon nevojën e ngutshme që Shqipëria të rrisë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në sallat e gjyqit,” thuhet m tej në deklaratë.
BE ritheksoi angazhimin e saj të palëkundur për të mbështetur konsolidimin e reformës në drejtësi dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.
Ndërkaq Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shprehu gjithashtu hidhërimin dhe dënoi me ashpërsi aktin e rëndë.
“Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë,” thuhet në reagimin e OSBE-së.
Organizata i shprehu ngushëllimet familjes dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.
“Prezenca e OSBE-së dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike,” theksohet në deklaratën e OSBE-së.
OSBE mirëpriti arrestimin e shpejtë të autorit dhe nënvizoi rëndësinë e një procesi ligjor të plotë dhe të shpejtë për vendosjen e drejtësisë.
“Prezenca solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë përpjekjet që forcojnë sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor,” përfundon deklarata.
/rtsh.al/
Ambasadori britanik shkruan për takimin me Osmanin: Bisedime...
Kyle Walker është pensionuar nga Anglia
Hungaria miratoi rezolutën kundër anëtarësimit të Ukrainës n...
Konjufca priti në takim ambasadorin gjerman, flasin për proc...
Laporta është shprehur në favor të rinovimit të Lewandowskit
Papa Leoni XIV shkarkon peshkopin e San Diegos, i dyshuar pë...