Basha nuk e uron Veliajn, akuzon Ramën dhe Metën për blerje votash

20:41 | 23 Qershor 2015
M. A.

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dal pasditen e sotme në një konferencë për shtyp ku ka folur për rezultatin e zgjedhjeve të 21 qershorit. Ndryshe nga kandidati Halim Kosova i cili pranoi humbjen dhe uroi kundërshtarin e tij Erjon Veliaj, Lulzim Basha nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim.

Megjithëse e djathta ka humbur jo vetëm Tiranën, por edhe shumicën e bashkive të tjera Basha është shprehur i mendimit se PD është ringritur nga këto zgjedhje, dhe se e majta është ajo që ka humbur në këto zgjedhje, pasi ka pasur një braktisje të votuesve me 250 mijë vota.

Basha tha më tej se PD me aleatët ka arritur mbështetjen popullore, anembanë vendit duke arritur fitore në disa bashki që më parë ishin klasifikuar si të majta, çka tregon për braktisje dhe zhgënjim të popullit ndaj së majtës.

Basha tha se pavarësisht rezultatit kandidatët tanë dhanë mesazh të madh shprese dhe falënderimi për qytetarët.

“Do ta nis me një falënderim për të gjithë ju që morët pjesë në votimet e 21 qershorit. Rezultatet paraprake në shkallë kombëtare tregojnë se këto zgjedhje janë një hap i madh për Partinë Demokratike. Pavarësisht prej hartës territoriale të manipuluar nga dyshja Rama-Meta për interesat e pushtetit të tyre, pavarësisht prej kandidimit të personave me rekorde kriminale. E pavarësisht prej blerjes masive të votës fakt tashmë i regjistruar si shqetësim madhor edhe nga raportet zyrtare të vëzhguesve ndërkombëtarë; Partia Demokratike me aleatët ka hedhur një hap të madh të ringritjes duke rritur mbështetjen popullore anembanë vendit, duke fituar një numër të madh bashkish disa prej tyre për herë të parë në dy dekada, dhe duke ngushtuar diferencën në të tjera bashki anembanë Shqipërisë, nga jugu në veri, nga lindja ne perëndim. Kjo është një dëshmi e vendosmërisë dhe forcës tonë. Kjo është një fitore për të gjithë demokratët. Me këtë rast dua të falënderoj nga zemra kandidatët tanë për përfaqësimin dinjitoz dhe mesazhin e madh të shpresës dhe alternativës që i dhanë qytetarëve shqiptarë!,” tha kreu i opozitës shqiptare Lulzim Basha.

Basha tha se këto zgjedhje nuk kanë kaluar pa probleme pasi PD është e bindur se ka pasur një mekanizëm dhune dhe presioni gjatë këtyre zgjedhjeve. Basha iu bëri thirrje numëruesve dhe komisionerëve që të vazhdojnë një proces të rregullt të numërimit të votave për këshillat bashkiakë, ndërsa i bëri thirrje dyshes Rama dhe Meta të heqin dorë nga presioni për këtë fazë përmbyllëse të proceist zgjedhor.

 

Shpërndaje në rrjete sociale