Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur një bashkëpunim me platformën TikTok.
Ai synon ndalimin e shpërndarjes së përmbajtjeve të dëmshme, siç janë videot ku shfaqet apo nxitet dhunë e çdo lloji, që përmbajnë gjuhë urrejtje, që shkelin të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut etj.
Sipas mediave në Shqipëri, lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, në një postim në rrjetet sociale ku ka sqaruar se në platformën TikTok, është hapur për llogari të Autoritetit, një kanal, në të cilin do të hidhen përmbajtjet e verifikuara nga ekipet e AMA-s, si të dëmshme, për tu ndjekur më pas zyrtarisht nga Platforma për masa të mëtejshme.
Për këtë arsye në web-in zyrtar të AMA-s është hapur një dritare e dedikuar, ku mund të raportohen videot e dëmshme, që publiku ndesh gjatë lundrimit në platformën TikTok: https://ama.gov.al/denonco-shkelje-per-tiktok/
Videot e ardhura nga këto raportime do të shqyrtohen nga ekipet e AMA-s, dhe çdo video e konstatuar në shkelje të së drejtës dhe etikës do të raportohet zyrtarisht në Platformë për marrjen e masave të nevojshme.
“Duke filluar nga sot, ju ftoj të raportoni në linkun e dedikuar, në faqen zyrtare të AMA-s, çdo përmbajtje të dëmshme sipas mendimit tuaj, që shfaq apo nxit dhunë, që përmban gjuhë urrejtje, që shkel të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve. Çdo përmbajtje që cenon liritë tona duhet ndaluar. Bashkërregullimi është tashmë formula e gjithëpranuar për një treg mediatik të dobishëm për të gjithë, dhe ne mund të bëhemi pjesë aktive e këtij proces”, ka shkruar Krasniqi. /Telegrafi/
Operacion policor në Fier, sekuestrohen dy armë zjarri
Liverpooli ia “mbyll derën” Juventusit për Chies...
Merret vendim në tërë Kosovën, shtyhet procesi mësimor deri ...
KRU “Mitrovica” apelon te konsumatorët që uji të mos përdore...
Parashikimi i motit për nesër, me riga shiu
Lëndohet përsëri Ter Stegen