Asgjësohen 6.100 rrënjë kanabis në Lazarat

16:45 | 23 Korrik 2015
M. A.

Forcat e policisë në Tepelenë kanë zhvilluar paraditen e sotme një operacion kundër kultivimit të narkotikëve, duke asgjësuar rreth 6.100 rrënjë kanabis.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore zyrtare, sipas të cilave operacioni është ndjekur nga afër me avion nga drejtori i përgjithshëm i policisë, Haki Çako.

Sipas të dhënave zyrtare, nga data 1 janar deri më 22 korrik 2015, janë asgjësuar mbi 260 mijë bimë kanabisi. Autoritetet njoftojnë se operacionet janë zhvilluar në bashkëpunim me Guardia di Finanza, që ka ofruar pamje nga ajri mbi sipërfaqet e kultivuara me bimë narkotike.

Drejtori i Policisë së Shtetit Haki ÇAKO, shoqërohej në këtë operacion nga drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Altin QATO, si dhe drejtori i Misionit Interforza Michele GRILLO, të cilët së bashku ndoqën një nga operacionet anti-kanabis në zonën e Tepelenës, transmeton KosovaPress.

Operacioni u zhvillua në kuadër të zbatimit të protokollit operativ ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Italisë, për monitorimin ajror me avionë të posaçëm të Guardia di Finanza me teknologjinë më të fundit.

“Bashkëpunimi me Guardia di Finanza dhe Universitetin e Napolit ka filluar në vitin 2012 dhe nga viti në vit ka sjellë një rritje të forcës goditëse të Policisë së Shtetit ndaj fenomenit të kultivimit të kanabisit. Në operacionin e radhës u angazhuan rreth 50 forca policore dhe u shkatërruan më shumë se 6.100 bimë narkotike në këtë zonë me parcela”, bëjnë të ditura burime zyrtare nga Policia e Shtetit.

Sipas të njëjtave burime këtë vit fenomeni i kultivimit, për shkak të operacioneve të vitit të kaluar në Lazarat dhe Dukagjin, por edhe në të gjithë territorin e vendit, ka pësuar një ndryshim, është reduktuar sipërfaqja e kultivueshme, por janë rritur parcelat e dimensioneve të vogla.

Nga 1 janari deri në 22 korrik 2015, janë asgjësuar 261.699 bimë narkotike kannabis sattiva. Në vitin 2014, janë asgjësuar 530.177 bimë narkotike kannabis sativa.

Shpërndaje në rrjete sociale