Anëtarësimi në BE pa të drejtë vetoje, Rama: Plotësisht dakord për aq kohë sa të reformohet BE

18:29 | 21 Tetor 2025
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është dakord për anëtarësimin pa të drejtë vetoje në Bashkimin Europian, për aq kohë sa të reformohet Bashkimi Europian.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në panelin e Chatham House në Londër, me temë “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”.

Duke folur për ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, Rama u shpreh se ka qenë gjithmonë avokat i asaj se procesi nuk mund të jetë “gjithçka ose asgjë deri sa të bëhesh anëtar dhe sa je vetëm kandidat nuk ke asnjë gjë”.

Kryeministri kujtoi se shtetet anëtare përreth Shqipërisë marrin nga BE kontribut prej rreth 4500 euro për frymë, ndërsa për vendin tonë kontributi është 160-170 euro për frymë.

“Kjo është pamundur. Kemi avokatuar për këtë gjë dhe nga kjo shtysë, nxitje që ne bëmë ia dolëm të gjejmë veshë që na dëgjuan për të pasur një Plan të ri Rritjeje dhe para shtesë për të financuar reformat, qasjen në tregun e përbashkët, hapësira e pagesa të përbashkëta”, shtoi Rama.

Rama tha se “ka një dëshpërim shumë të qartë mes vendeve anëtare të BE-së sidomos atyre të mëdha sa i takon barazisë përreth tryezës”.

“Me 27 vende që duan të arrijnë konsensus për çdo gjë, mund ta imagjinoj se kur të na shohin ne do thonë: ‘O Zot, kemi edhe më shumë nga ata që sjellin telashe’. Në fund të thonë jo dhe pastaj vendimi ka veto. Dhe kanë të drejtë për faktin që janë kaq të frustruar për këtë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “për një kohë të gjatë kanë thënë se marrja jonë si anëtar me status ndryshe është më se e mirëpritur, pa të drejtë veto e votimi, për sa kohë që BE të reformojë veten”.

“Nuk e di se kur do të ndodhë një gjë e tillë se kjo reformë ka qenë kryefjalë për shumë dekada, por është e vështirë të reformosh mekanizmat”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria do të ishte plotësisht dakord, sepse, siç u shpreh ai, “në fund për aq sa na takon ne kur vjen fjala për përputhshmërinë me politikën e jashtme me BE-në, ne i kemi dhënë të drejtën vetes të themi atë që mendojmë”.

“Por kur vjen fjala për të vendosur ne jemi aty, në një linjë. Dhe këtë e ndjekim edhe në NATO, sepse jemi të vegjël, nuk na takon ne të marrin vendime. Është diçka e mirë dhe kur ndodh një bela e madhe dhe dështim i madh atëherë askush nuk mund të na fajësojë, ndërsa kur ka sukses jemi pjesë e suksesit”, shtoi Rama./atsh.al

 

Të ngjashme