Vetingu bëhet shkaktar për një tjetër vetëflijim në radhët e Policisë.
Pas rastit të shënuar pak ditë më parë në Fier, një tjetër efektiv i Policisë në Shkodër i ka dhënë fund jetës, ndërsa dyshohet se shkak është bërë presioni i madh për vetingun dhe pamundësia e tij për të mbledhur të gjithë dokumentacionin e kërkuar.
Viktima Dedë Shkalla, 52 vjeç, baba i pesë fëmijëve, prej vitesh punonjës i Policisë së Shtetit i ka dhënë fund jetës duke u mbytur në lumin Kir në Shkodër. Sipas të dhënave, në ditët e fundit ai iu kishte shprehur kolegëve shqetësimin se nuk po arrinte dot të plotësonte dokumentet për formularin e vetëdeklarimit për procesin e vetingut në afatin e kërkuar.
Vetëmbytja e babait të pesë fëmijëve vjen katër ditë nga përfundimi i afatit për dorëzimin e formularit. Kanë qenë banorë të zonës që kanë parë trupin e 52-vjeçarit pa shenja jete në ujërat e lumit, të cilët kanë lajmëruar më pas Policinë. Menjëherë pasi ata kanë shkuar në vendngjarje është konstatuar trupi i pajetë, i cili i përket efektivit Dedë Shkalla.
Nga veprimet e para të grupit hetimor rezulton se trupi i pajetë nuk ka shenja dhune. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga Spitali i Shkodrës. Trupi i 52-vjeçarit është dërguar në morg me një ambulancë për ekzaminime të mëtejshme. Dedë Shkalla punonte në sallën operative në Drejtorinë e Policisë Vendore të Shkodrës prej shumë vitesh.
Vendimi fatal i tij për t’i dhënë fund jetës i ka shtangur të gjithë. Mësohet se kohët e fundit nga bisedat me kolegë të tij ai kishte shfaqur shenja stresi në punë. Disa herë, punonjësi i policisë që zgjodhi t’i japë fund jetës, u ka treguar kolegëve se e kishte të vështirë plotësimin e dokumenteve që duheshin për procesin e vetingut.
Në një kohë kur kishin mbetur dhe pak ditë nga dorëzimi i formularit, ky proces duket se e ka stresuar Dedë Shkallën akoma dhe më shumë. Ai, për shkak edhe të gjendjes së vështirë ekonomike në familjen e tij, ka shprehur shqetësimin se nëse nuk do të arrinte në kohë dokumentet, kjo gjë mund edhe t’i shkaktonte humbjen e vendit të punës.
Frika se mund të mbeste edhe i papunë, sipas burimeve policore, por edhe personave që e kanë njohur, dyshohet se e ka çuar efektivin në Policinë e Shkodrës që të vetëmbytej në ujërat e lumit Kir. Dedë Shkalla, në orët e mëngjesit, para se të nisej si çdo ditë për në punë, ka zgjuar djalin e tij 18 vjeç nga gjumi dhe është përshëndetur me të.
Në dalje te dera e shtëpisë, e ka përshëndetur me dorë dhe më pas ka marrë rrugën jo për punë, por për në lumin Kir ku edhe kreu aktin e vetëmbytjes. Efektivi i Policisë së Shkodrës ka katër vajza dhe një djalë, fëmija më i vogël është 13 vjeç. Gruaja e tij nuk punonte, pasi kujdesej për shtëpinë dhe fëmijët.
Familja e tij banon në një shtëpi 1- katëshe në fshatin Golem të njësisë Rrethina në Shkodër, ngjitur me dy vëllezërit e tjerë. Fqinjët u shprehën se gëzonin respekt për të. Kjo ngjarje e papritur për ta i ka shtangur sepse asnjë prej tyre nuk e ka pritur një gjë të tillë. Ndërkohë nga ana e saj, Policia po vazhdon hetimet për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë./Panorama
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump dhe divorcin...
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...
24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit
Burri raporton në polici se gruaja e tij është larguar nga s...
Të fjeturit më pak se gjashtë orë gjumë, rrit rrezikun e dem...