R Kelly shpallet fajtor, këngëtari rrezikon të dënohet me burg të përjetshëm

01:36 | 28 Shtator 2021

Këngëtari amerikan R Kelly është shpallur fajtor për shfrytëzimin e statusit të tij si i famshëm për të drejtuar një skemë për abuzimin seksual të grave dhe fëmijëve gjatë dy dekadave.

Njëmbëdhjetë akuzues, nëntë gra dhe dy burra, dëshmuan kundër tij gjatë gjyqit gjashtë javor për të përshkruar poshtërimin dhe dhunën seksuale nga duart e tij. Pas dy ditësh diskutimi, juria e shpalli Kelly fajtor për të gjitha akuzat me të cilat ai përballej.

Dënimi do të jepet më 4 maj dhe ai mund të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij pas hekurave.

Kelly, emri i plotë i të cilit është Robert Sylvester Kelly, u shpall fajtor si drejtues i një rrjeti që joshte, ose detyronte gratë dhe vajzat për qëllime seksuale. Disa nga viktimat e tij dëshmuan se ishin fëmijë kur ai abuzoi seksualisht me ta.

Këngëtari i famshëm për këngën “I Believe I Can Fly” u shpall gjithashtu fajtor për trafik njerëzor. Një grua që dëshmoi se Kelly e burgosi, e drogoi dhe e përdhunoi tha në një deklaratë me shkrim pas vendimit se ajo ishte “fshehur” nga Kelly “për shkak të kërcënimeve që kishte marrë pasi e kishte denoncuar”.

“Unë jam gati të filloj të jetoj jetën time pa frikë dhe të filloj procesin e shërimit,” shtoi gruaja, e identifikuar nga gjykata vetëm me emrin Sonja.

Gloria Allred, një avokate që përfaqësoi disa prej viktimave u tha gazetarëve: “Unë jam duke ushtruar profesionin e avokatit për 47 vjet. Gjatë kësaj kohe, kam ndjekur shumë predatorë seksualë që kanë kryer krime kundër grave dhe fëmijëve. Nga të gjitha këta, Kelly është më i ligu”.

Në një konferencë shtypi jashtë gjykatës të hënën, prokurori Jacquelyn Kasulis tha se me këtë vendim, gjykata i kishte dërguar një mesazh të qartë kujtdo tjetër që mendon se është i paprekshëm e që shfrytëzon statusin e famës për të abuzuar.

Vendimi vjen 13 vjet pasi Kelly u lirua nga akuzat për pornografi të fëmijëve pas një gjyqi në shtetin e Illinois. Shumë nga akuzat e dëgjuara në gjyq u paraqitën për herë të parë në dokumentarin e vitit 2019 Surviving R Kelly.

Viktimat ndonjëherë zgjidheshin nga auditori i tij i koncerteve, ose josheshin të bashkoheshin me të pasi iu ofrohej ndihmë për të bërë karrierë muzikore. Por, pasi iu bashkuan ekipit të tij, viktimat zbuluan se iu nënshtroheshin rregullave të rrepta dhe ndëshkoheshin në mënyrë agresive nëse shkelnin atë që ekipi i tij e kishte quajtur “Rregullat e Robit”.

Së bashku me trafikimin seksual, Kelly u shpall gjithashtu fajtor për shantazh, një akuzë e përdorur zakonisht kundër shoqatave të krimit të organizuar. Gjatë gjykimit, prokurorët detajuan se si menaxherët e tij, rojet e sigurisë dhe anëtarët e tjerë të rrethit punuan për ta ndihmuar atë në ndërmarrjen e tij kriminale.

Gjatë gjykimit federal, gjykata dëgjoi gjithashtu se si ai kishte marrë dokumente në mënyrë të paligjshme për t’u martuar me këngëtaren e mitur Aaliyah, e cila vdiq në një aksident ajror në gusht 2001 pasi u martua me Kelly në moshën 15 vjeç.

Avokati i Kelly, Deveraux Cannick u tha gazetarëve se Kelly nuk priste që të shpallej fajtor./shqip/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara