Konflikt mes disa personave në Ersekë, plagoset me thikë një prej tyre

22:42 | 22 Gusht 2020

Një plagosje me thikë ka ndodhur pasditen e kësaj të shtune në qytetin e Ersekës.

Nga informacionet paraprake mësohet se në këtë konflikt janë përfshirë 5 persona nga fshati Taç i Ersekës, mes të cilëve edhe kushërinj, që janë konfliktuar për zaptim të tokës.

Kaq ka mjaftuar që në këtë konflikt masiv të përdoren thikat, e për pasojë ka mbetur i plagosur njëri prej tyre.

Burime bëjnë të ditur se njëri prej kushërinjve që janë konfliktuar është plagosur rëndë dhe është transportuar në Spitalin e Korçës nga ku mësohet se është jashtë rrezikut, ndërsa të tjerët të përfshirë në të kanë marrë plagë të lehta dhe pasi kanë marrë mjekimin në Spitalin e Ersekës janë shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme.

Në këtë konflikt mësohet se janë përfshirë edhe njerëz që jetojnë prej vitesh jashtë shtetit, ndërsa burime theksojnë se sherri të ketë nisur pikërisht për zaptimin e tokave të njëri-tjetrit.

Ndërkohë në po të njëjtin vend, njëri prej autorëve është munduar të largohet nga vendi i ngjarjes dhe në nxitim e sipër, mjeti ka marrë përpara një shtetase femër, e cila është plagosur dhe transportuar në spital.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Kolonjë

Më datë 22.08.2020, rreth orës 19:30, shërbimet e Komisariatit Kolonjë kanë marrë njoftim se në fshatin Starje, ka ndodhur një konflikt midis shtetasve V. A; B. C dhe H. C., si pasojë e të cilit këta të fundit kanë marrë dëmtime fizike me mjete prerëse dhe më pas shtetasi B. C., ka përplasur me mjetin e tij shtetasen H. C.

Të tre këta shtetas aktualisht ndodhen në Spitalin e Korçës, nën kujdesin e mjekëve.

Falë veprimeve të shpejta, u bë e mundur identifikimi dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit Kolonjë, e njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes shtetasit B. C., me të cilin po kryen veprimet e mëtejshme proceduriale.

Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara