Prokurorët kanë kërkuar të heqin disa nga akuzat ndaj Sean “Diddy” Combs një ditë para se të nisin deklaratat përmbyllëse, megjithatë, producenti i njohur vijon të përballet me akuzat për trafikim seksual dhe organizatë kriminale.
Në një letër drejtuar gjyqtarit Arun Subramanian, prokurorët bënë të ditur se nuk do t’i kërkojnë jurisë të marrë në shqyrtim akuzat për tentativë rrëmbimi, tentativë për zjarrvënie dhe ndihmë/dhënie ndihme në trafikim seksual përpara se të nisin diskutimet.
“Qeveria e kupton dëshirën e Gjykatës për të dhënë udhëzime të thjeshtuara për jurinë,” shkruhet në letrën e siguruar nga revista PEOPLE.
“Duke pasur këtë parasysh, kemi propozuar mënyra për t’i përmbledhur këto udhëzime… Qeveria nuk ka më në plan të vijojë me këto teori përgjegjësie, prandaj udhëzimet përkatëse nuk janë më të nevojshme”.
Letra u paraqit në mëngjesin e të mërkurës, më 25 qershor, pas gjashtë javësh dëshmi në gjyq. Avokatët e Combs dhe ata të prokurorisë, së bashku me gjyqtarin, janë në proces të përpilimit të udhëzimeve për jurinë pasdite e së mërkurës. Deklaratat përmbyllëse pritet të zhvillohen të enjten dhe të premten, ndërsa diskutimet e jurisë mund të fillojnë që të premten ose të hënën, më 30 qershor.
Combs përballet me akuza për trafikim seksual, pjesëmarrje në një organizatë kriminale (racketeering) dhe transportim me qëllim përfshirjen në prostitucion. Këto akuza mbeten në fuqi dhe nuk janë prekur nga letra e prokurorisë, por juria do të ketë më pak baza ligjore për të shqyrtuar gjatë diskutimeve.
Themeluesi i Bad Boy Records ka mohuar fajësinë për të gjitha akuzat.
Avokatët mbrojtës përfunduan paraqitjen e tyre pas vetëm 23 minutash, pa thirrur dëshmitarë dhe duke paraqitur një sërë mesazhesh tekstuale si prova. Combs nuk dëshmoi në gjyq.
Ndërkohë, prokurorët kanë thirrur 34 dëshmitarë përgjatë 29 ditëve dëshmie. Ndër dëshmitarët kryesorë ishin Casandra “Cassie” Ventura, akuzat e së cilës për abuzim janë thelbësore në çështjen e ngritur nga shteti, si dhe reperi Kid Cudi, i cili dëshmoi se makina e tij ishte shpërthyer dikur me një koktej Molotov. /Telegrafi/
Sot tërhiqet shorti për renditjen e partive në fletëvotimin ...
Mungesë banesash në Zvicër: Një apartament 60-vjeçar ofrohet...
Varka me 20 emigrantë fundoset pranë bregdetit jugor të Kret...
Serbi: Familjet shqiptare kërkojnë drejtësi për të zhdukurit
Nuk u ndalua në pikën e kontrollit, policia e Cyrihut arrest...
Tragjedia në Zakynthos të Greqisë ku qeni mbyti 2 vjeçarin s...