Filmat “Black Panther” dhe “Roma” paralajmërojnë një epokë të re të çmimeve Oscar

20:14 | 23 Janar 2019
Arbresh.info

Tetë filma konkurrojnë në kategorinë e ‘Filmit më të mirë’ në ceremoninë e sivjetme të Academy Awards, ndërsa në këtë listë bëjnë pjesë dy filma që i shtyjnë limitet.

Është fjala për hitin e Marvel, “Black Panther” dhe filmin e rrjetit të popullarizuar Netflix, “Roma”.

Filmi me superheronj është filmi më i shitur i këtij zhanri në histori të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për më shumë, është filmi i parë me buxhet të madh, në të cilin afro-amerikani Chadwick Boseman luan rolin e superheroit.

Ngjarja përcjell karakterin T’Challa, i cili pas vdekjes së babait të tij (mbretit Wakanda), kthehet në një shtet afrikan për të marrë fronin dhe për t’u bërë mbret. Mirëpo, një kundërshtar i vjetër (të cilin e luan Michael B. Jordan) i shkakton probleme duke bërë një sërë sulmesh në mbretërinë mistike dhe në Tokë.

Ky është hiti i parë i Marvel që ndodhet në garë për filmin më të mirë. Kujtojmë që deri më tani, filmat me superheronj janë nominuar kryesisht në kategoritë teknike, siç janë efekte speciale, kostumografia dhe produksioni i dizajnit.

Filmi tjetër që shtyn limitet e ceremonisë së Oscar, është realizimi i Netflix, “Roma”. Në Hollywood është duke zgjatur debati nëse Netflix dhe shërbimet tjera ‘streaming’ paraqesin rrezik për për të ardhmen e kinematografisë.

‘Streaming’ është një metodë e transmetimit apo pranimit të të dhënave (sidomos të materialeve audio dhe video) përmes një rrjeti kompjuterik, si një rrjedhë e qëndrueshme dhe e vazhdueshme, e cila mundëson që ridëgjimi apo rishikimi të vazhdojë, derisa të dhënat pasuese janë duke u pranuar.

“Roma” ka marrë më së shumti nominime, dhjetë sosh, ndërsa pos që është film i Netflixit, regjinë e ka bërë meksikani Alfonso Cuaron.

Krahas filmave, Black Panther” dhe “Roma”, në garë për filmin më të mirë janë edhe “BlackkKlansman”, “Bohemian Rhapsody”, “The Favourite”, “Green Book”, “A Star is Born” dhe “Vice”.

 

Të ngjashme