Tumori i trurit tani mund të zbulohet për 12 minuta: AI sjell kthesë në neuroonkologji

22:31 | 12 Qershor 2026
Q L

Sistemi i ri Hetairos identifikon më shumë se 100 nëntipe molekulare të tumoreve të sistemit nervor qendror, duke përdorur prerje të zakonshme mikroskopike të indeve

Neuroonkologjia po shënon një zhvillim të rëndësishëm në diagnostikimin e tumoreve të trurit. Falë një metode të re, tumori i trurit mund të identifikohet brenda pak minutash, në vend të pritjes së rezultateve që deri tani mund të zgjaste edhe dy javë.

Për këtë përshpejtim të diagnostikimit merita u takon shkencëtarëve nga German Cancer Research Center, të cilët kanë krijuar një sistem të ri të inteligjencës artificiale, të aftë të identifikojë me saktësi të lartë më shumë se 100 nëntipe molekulare të tumoreve të sistemit nervor qendror, duke përdorur vetëm prerje standarde mikroskopike të indeve.

Diagnostikim më i shpejtë dhe më i thjeshtë i tumoreve të trurit në mbarë botën

Ekspertët nga Heidelbergu kanë zhvilluar një sistem të avancuar të inteligjencës artificiale, i cili mund ta përshpejtojë dhe thjeshtojë ndjeshëm diagnostikimin e tumoreve të trurit në nivel global. Duke përdorur ngjyrosje standarde histologjike të digjitalizuara, ky sistem jep rezultate të sakta brenda pak minutash. Rezultatet e këtij studimi revolucionar janë publikuar në revistën prestigjioze shkencore Nature Cancer.

Dihet se tumoret e trurit dhe të palcës kurrizore janë jashtëzakonisht të ndryshme. Vitet e fundit është bërë e qartë se shumë prej tyre mund të diagnostikohen me besueshmëri vetëm nëse, krahas pamjes mikroskopike, analizohen edhe karakteristikat e tyre molekulare.

Standardi i artë për klasifikim të saktë sot konsiderohet analiza e metilimit të ADN-së. Megjithatë, këto teste janë komplekse: kërkojnë laboratorë të specializuar, pajisje të shtrenjta, sasi të madhe materiali tumoral dhe shpesh rezultatet vonohen rreth dy javë. Në shumë pjesë të botës, një diagnostikim i tillë nuk është fare i qasshëm, transmeton Telegrafi.