QKUK-ja ultimatum dy anesteziologëve që paguheshin pa punuar

20:39 | 1 Korrik 2015
M. A.

U paguan disa vjet me radhë pa dhënë kontribut fare. Por, pas datës 10 korrik kjo praktikë do të ndryshojë për të gjithë profesionistët shëndetësorë të Klinikës së Kardiokirurgjisë, raporton KTV.

Me një vendim të drejtorit të SHSKUK-së për rishikim të kontratave, dy anesteziologëve, Shkëlzen Muriqit dhe Suzana Vllasaliut, u kërkohet që të vendosin nëse do të mbajnë orarin sipas kontratës me Klinikën e Anesteziologjisë.

I kontaktuar nga KTV-ja, anesteziologu Shkëlzen Muriqi nuk ka dashur të flasë para kamerës, por ka thënë se edhe ai, edhe Suzana Vllasaliu në momentin që do të funksionalizohet Klinika e Kardiokirurgjisë do t’i kthehen punës në QKUK.

“Ne kemi pasur marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë dhe jemi takuar edhe me ministrin. Ekziston një gatishmëri e kardiokirurgëve për të funksionalizuar këtë shërbim dhe pritet që në korrik të hapet. Ne jemi të gatshëm të kthehemi aty”, ka thënë Muriqi.

Në të njëjtën kohë kur anesteziologët u paguan nga QKUK-ja derisa punonin në një spital privat, kjo klinikë u përball me mungesë të stafit.

E arsyetimi i drejtorisë për të marrë staf të ri ishte buxheti i limituar.

Drejtori i anesteziologjisë, Nehat Baftiu, ka thënë të kenë vështirësi në mbulimin e nevojave, ku për shkak të mungesës së anesteziologëve rastet mund të mos kryhen.

Ditë më parë KTV-ja kishte raportuar se këta dy mjekë po paguhen nga buxheti i SHSKUK-së.

Ndërsa arsyetimi që dhanë si ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani dhe drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, ishte se kjo po bëhet në përpjekje për ta kthyer shërbimin e kardiokirurgjisë, pasi këta profesionistë anesteziologë janë në mungesë.

Shpërndaje në rrjete sociale