Ju dhembin nyjet dhe keni lëkurë të thatë? Mund të keni mungesë të omega-3

22:39 | 10 Mars 2025
E.G

Acidet yndyrore OMEGA-3 njihen si yndyrna të shëndetshme dhe efektet e tyre të fuqishme antioksidante ndikojnë pozitivisht në shëndetin e zemrës, trurit dhe imunitetit. Por pavarësisht përfitimeve të tyre, hulumtimet tregojnë se shumica e njerëzve nuk marrin mjaftueshëm omega-3 përmes dietës së tyre, madje edhe ata që hanë peshk rregullisht.

Nëse trupit tuaj i mungon omega-3, mund të vëreni disa simptoma. Këtu janë disa shenja që tregojnë mungesën e këtyre acideve yndyrore thelbësore:

Lëkurë e thatë dhe e irrituar

Nëse lëkura juaj është e kuqe, e krisur ose e ndjeshme pavarësisht përdorimit të hidratuesve dhe serumeve, mund të keni mungesë omega-3. Këto acide yndyrore ndihmojnë në ruajtjen e pengesës natyrore mbrojtëse të lëkurës, duke parandaluar tharjen dhe dëmtimin nga faktorët e jashtëm.

Vështirësi në përqendrim

Omega-3 janë thelbësore për shëndetin e trurit dhe sistemit nervor. Një mangësi mund të shkaktojë vështirësi me përqendrimin, kujtesën dhe qartësinë e përgjithshme mendore. Studimet kanë treguar se marrja e rregullt e DHA (një lloj omega-3) përmirëson kujtesën e punës dhe funksionin njohës, shkruan MindBodyGreen.

Humor i keq

Omega-3 ndikon në hormonet e lumturisë, serotoninën dhe dopaminën. Mungesa e tyre mund të përkeqësojë simptomat e depresionit dhe ankthit, ndërsa marrja e duhur mund të përmirësojë gjendjen shpirtërore dhe stabilitetin emocional.

Nyje të ngurta

Nyjet me dhimbje dhe të ngurtësuara mund të jenë rezultat i mungesës së acideve yndyrore omega-3, të cilat kanë efekte anti-inflamatore dhe mbrojtëse të kyçeve. Hulumtimet tregojnë se konsumimi i rregullt i këtyre yndyrave mund të zvogëlojë inflamacionin dhe të përmirësojë lëvizshmërinë, raporton Index.hr, transmeton Klankosova.tv.

Sytë e thatë dhe të lodhur

Të shikuarit në ekran për një kohë të gjatë mund t’i lodhë sytë, por nëse ato janë vazhdimisht të thata dhe të ndjeshme, mund t’ju mungojë omega-3. DHA dhe EPA ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të retinës dhe mbrojnë syrin nga stresi oksidativ.

Si të rrisni marrjen e omega-3?

Ekzistojnë tre lloje kryesore të omega-3: EPA, DHA dhe ALA. EPA dhe DHA janë më të lidhura me përfitimet shëndetësore dhe gjenden në:

Peshk yndyror (salmon, skumbri, açuge, sardele)

Mish viçi

Omega-3 ALA janë të pranishme në burime bimore si:

 

Farat e lirit dhe chia

Arrat

Tofu

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme