Migrena nuk është thjesht një dhimbje koke, por një çrregullim neurologjik kompleks që prek mbi 1.2 miliardë njerëz në mbarë botën dhe përbën shkakun e dytë kryesor të paaftësisë globale.
Sipas një artikulli të publikuar nga BBC, kuptimi shkencor i migrenës po ndryshon rrënjësisht, ajo që për dekada është konsideruar “shkak”, sot shihet gjithnjë e më shumë si “simptomë e hershme”.
Historikisht, migrena është trajtuar me paragjykime, sidomos ndaj grave, të cilat përbëjnë rreth 75% të pacientëve. Studiuesit theksojnë se kjo stigmë e hershme ka ndikuar drejtpërdrejt në mungesën e investimeve kërkimore.
“Është një nga çrregullimet neurologjike më pak të kuptuara”, thotë për BBC Gregory Dussor, profesor i shkencave të trurit në Universitetin e Teksasit.
Pasojat nuk janë vetëm shëndetësore.
Të dhënat nga Mbretëria e Bashkuar tregojnë se migrena i kushton ekonomisë publike rreth 12 miliardë paund në vit, për shkak të mungesave në punë, uljes së produktivitetit dhe pensionimit të parakohshëm.
Shkaktarë apo shenja paralajmëruese?
Mungesa e gjumit, stresi, ushqime të caktuara apo drita e fortë janë përmendur shpesh si “shkaktarë” të migrenës.
Por kërkimet e reja sugjerojnë se shumë prej tyre mund të jenë shenja paralajmëruese biologjike, jo shkaqe reale.
Sipas Peter Goadsby, neurolog në King’s College London, ndjeshmëria ndaj dritës apo aromave mund të shfaqet para se sulmi i migrenës të fillojë, duke bërë që pacientët t’i interpretojnë gabimisht si shkaktarë.
Roli i gjenetikës dhe trurit
Studimet mbi binjakët tregojnë se 30–60% e rrezikut për migrenë është gjenetik.
Gjenet e identifikuara lidhen jo vetëm me sistemin nervor, por edhe me rregullimin e enëve të gjakut, depresionin dhe diabetin.
Një nga teoritë kryesore shkencore është ajo e “valës elektrike jonormale” në tru, e njohur si cortical spreading depression.
Kjo valë, e vëzhguar së fundmi në kohë reale te një paciente, përhapet në tru dhe shpjegon simptoma si aura, lodhja, mjegulla mendore dhe ndjeshmëritë shqisore.
Për dekada, migrena u lidh drejtpërdrejt me zgjerimin e enëve të gjakut.
Sot, shkencëtarët janë më të kujdesshëm, enët e gjakut janë të përfshira, por jo domosdoshmërisht shkaku kryesor. Ato mund të reagojnë ndaj sinjaleve të tjera që vijnë nga truri ose nga sistemi imunitar.
Një pistë e re
Vëmendja po zhvendoset gjithnjë e më shumë te meningjet, membranat që rrethojnë trurin. Ato përmbajnë qeliza imunitare që, kur aktivizohen tepër, mund të shkaktojnë inflamacion dhe dhimbje.
Kjo mund të shpjegojë lidhjen e migrenës me alergjitë, ndryshimet hormonale dhe madje edhe lehtësimin e dhimbjes nga kompresat e ftohta apo të ngrohta.
Molekula që ndryshoi trajtimin: CGRP
Një nga përparimet më të mëdha ka qenë identifikimi i CGRP-ve (calcitonin gene-related peptides), molekula që gjenden në nivele të larta te pacientët me migrenë. Kjo ka çuar në zhvillimin e barnave të reja parandaluese.
Sipas një studimi, 70% e pacientëve që përdorën terapi me CGRP për një vit patën ulje të ndjeshme të shpeshtësisë së sulmeve, ndërsa rreth 23% nuk përjetuan më migrena.
Ekspertët bien dakord se migrena nuk ka një shkak të vetëm.
“Secili pacient ka një ‘koktej’ faktorësh biologjikë”, shprehet për BBC Amynah Pradhan, drejtoreshë e Qendrës për Farmakologji Klinike në Universitetin e Uashingtonit.
Megjithëse ende nuk ekziston një zgjidhje universale, shkenca po avancon drejt trajtimeve më të personalizuara dhe më efektive.
Jude Bellingham humb disa përballje të rëndësishme pas lëndi...
Arrestohet grupi pas sulmeve në aeroportin e Damaskut, armët...
Takim sekret në Pentagon, SHBA-të dhe Izraeli përballë Irani...
Bora dhe ngricat, Komuna e Prishtinës: Ekipet janë në terren...
Juventusi fiton me rezultat të thellë në udhëtim tek Parma
Atentat në Lezhë, i riu qëllohet me breshëri plumbash brenda...