Xhelal Neziri: Ali Ahmeti është përgjegjës për vrasjet

08:44 | 26 Korrik 2015
M. A.

Dy vrasjet e fundit në Maqedoni të zyrtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, ajo e pretendentit për kryetar dege në Kumanovë, Xhemail Rexhepi – Komandant Shqiponjës, me 23 korrik, dhe vrasja e Artan Musliut, zyrtar i BDI-së në Strugë, ka rikthyer problemet e kahmotshme ndërshqiptare e ndërpartiake në Maqedoni.

Siç u bë e ditur, të dyja vrasjet erdhën pas konflikteve brendapartiake në BDI.

Për analistin dhe njohësin e rrethanave politike në Maqedoni, Xhelal Nezirin, faji kryekëput i shkon një njeriu. “Përgjegjës për këtë situatë është lideri partiak, Ali Ahmeti, që ushqeu politikën e fraksionizimit horizontal të BDI-së, me qëllim që të ketë kontroll mbi strukturën e subjektit që drejton”, tha Neziri në prononcimin e tij për Klan Kosovën.

Sipas Nezirit vrasja e zyrtarëve të BDI-së, është pasojë e një pavetëdije politike, e cila i nënshtrohet klientelizmit, e që gjithçka e nënkupton si interes vetjak dhe grupimin politik e sheh si mundësi për përfitime të ngushta. “Vrasjet janë rezultat i mungesës së kapacitetit të BDI-së për të zhvilluar një proces normal të demokratizimit dhe reformimit të brendshëm”.

“Zgjedhjet brendapartiake kanë shkaktuar nervozë dhe frustracione te themeltarët e partisë, të cilët kërkojnë që subjektin që e formuan pas një konflikti të armatosur, ta kthejnë prapa nga kontrolli i një fraksioni që politikën dhe pushtetin e shohin vetëm nga prizmi i biznesit”.

Publicisti thotë se rrjedha e tillë e gjërave tregon nivelin e dobët të demokracisë në mes shqiptarësh në Maqedoni, porse është i bindur se nëse rastet e fundit nuk zbardhen dhe politika vazhdon të kuptohet me këtë nivel mendësie, BDI-ja, si partia shqiptare më e votuar në Maqedoni, do takohet me fundin e saj.

“Është kjo një njollë e zezë për shqiptarët e Maqedonisë që flet për mungesë të kapacitetit demokratik te subjekti që ka më shumë përkrahje në zgjedhjet e fundit”.

“Nëse këto raste ngelin të pazbardhura kurse partia ngelet në këtë nivel të perceptimit të politikës, atëherë ky do të jetë një fillim i fundit të BDI-së”.

Për vrasjen e Komandant Shqiponjës tashmë veç është dorëzuar në polici Bajram Limani, i cili për televizionin “AlsatM” tha se ndjen keqardhje për atë që ndodhi, por vrasjen e ka shkaktuar në vetëmbrojtje. Derisa për viktimën e sotme Artan Musliun, i cili u vra me pesë plumba, ende nuk dihen autorët, veçse është kuptuar se ishte incident ndërpartiak. E në varrimin e Komandant Shqiponjës nuk u vërejtën as funksionarë lokalë e as nga kryesia qendrore e BDI-së.

Shpërndaje në rrjete sociale