Vuçiq ngre alarmin: Nëse lumi Danub bie edhe 30 centimetra, kemi mbaruar

17:24 | 1 Gusht 2026
E.K

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar për një situatë të rëndë energjetike dhe hidrologjike në vend, si pasojë e temperaturave ekstreme dhe rënies së nivelit të ujit në lumin Danub.

Në një intervistë për Nish TV, Vuçiq tha se Serbia po përballet me konsum rekord të energjisë elektrike, ndërsa bujqësia, veçanërisht në rajonet e Vojvodinës dhe Banatit, është goditur rëndë nga thatësira.

“Nëse bie edhe 30 centimetra të tjera, kemi mbaruar. Në vendet ku ka centrale bërthamore që varen nga niveli i ujit, problemi është edhe më i madh”, deklaroi Vuçiq, duke paralajmëruar se vendin e presin edhe “10 ditë ferri” për shkak të valës së të nxehtit.

Sipas raportimeve, niveli i ujit në Danub ka rënë në minimum historik si pasojë e temperaturave të larta dhe thatësirës së zgjatur.

Përveç bujqësisë, nivelet e ulëta të ujit kanë ndikuar edhe në peshkim, turizëm dhe lundrim në Danub, si dhe në lumenjtë Tisa dhe Sava. Ekspertët paralajmërojnë se situata mund të ketë pasoja afatgjata edhe për ekosistemin dhe jetën e egër.