Vrasja e trefishtë në Mal të Zi: Nëna e denoncoi në polici të birin

23:35 | 21 Prill 2026
E.G

Drejtori i Zyrës së Prokurorisë Themelore të Shtetit në Rozhajë, Aldin Kalaq, ka bërë të ditur se nëna e Vehid Muriç (25), i dyshuar për vrasjen e trefishtë në Podgoricë, ka njoftuar policinë pasi i biri i kishte pranuar krimin.

“Ai i ka thënë nënës se i ka njollosur duart me gjak dhe ka dalë nga shtëpia. Ajo pas një kohe e ka raportuar këtë në polici”, ka deklaruar Kalac.

Ai theksoi se nuk janë të sakta pretendimet e disa mediave se i dyshuari ishte raportuar për dhunë në familje.

“Nëna nuk ka raportuar për dhunë ndaj saj”, ka shtuar Kalac, shkruan RTCG.

Ndërkaq, në orët e vona u raportua për arrestimin e Vehid Muriç, i dyshuari për vrasjen e trefishtë në Podgoricë.

Mediat në Mal të Zi raportojnë se ai u prangos në qendër të Rozhajës.

Ai dyshohet se mëngjesin e sotëm në lagjen “Stari Aerodrom” (Aeroporti i vjetër) në Podgoricë i privoi nga jeta tre viktimat: Denis Hot 28-vjeçar, Nezrin Hot 27 vjeç nga Rozhaja dhe Kenan Miraljemovic 56 vjeçar, i cili thuhet se është shtetas i Serbisë,

Motivi lidhur me këtë ngjarje tragjike është ende i panjohur.

Sipas informacioneve fillestare nga vendi i ngjarjes, krimi dyshohet se është kryer me përdorimin e armës së ftohtë, pas mosmarrëveshjeve personale.