Vaksina ruse Sputnik V arrin në Serbi

14:42 | 30 Dhjetor 2020

Vaksina ruse kundër koronavirusit Sputnik V arriti të mërkurën në Serbi.

Kontingjenti i parë u dërgua në Institutin e Virologjisë, Vaksinave dhe Serumeve “Torlak” në Beograd.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë së Serbisë, Mirsad Gjerllek, tha se kanë arritur 2,400 doza.

“Nga Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore më është thënë se, për një ditë ose dy, pritet certifikata për përdorim, kështu që aplikimin e vaksinës Sputnik V mund ta presim menjëherë pas Vitit të Ri. Leja do të na mundësojë të marrim sasi dukshëm më të mëdha gjatë janarit”, tha Gjerllek.

Ai po ashtu tha se nga 4 janari, sipas dinamkës së paraparë, vaksinat Pfizer/BioNTech do të arrijnë në nivel javor – nga 20,000 doza.

“Aktualisht, kemi dy vaksina në dispozicionin tonë nga prodhues të ndryshëm. Të dyja janë me cilësi të jashtëzakonshme dhe të sigurt”, tha Gjerllek.

Vaksina Pfizer/BioNTech është krijuar nga një kompani farmaceutike amerikane dhe një gjermane.

Vuçiq: Serbia e gatshme të shpërndajë vaksina për shqiptarët në Kosovë

Më 22 dhjetor, Serbia ka konfirmuar se ka pranuar kontingjentin e parë me 4,875 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech.

Dy ditë më vonë, ky vend ka nisur vaksinimin, me kryeministren Ana Bërnabiq, ndër të parat, që ka pranuar dozën e parë.

Gjerllek ka thënë më herët se autoritetet serbe janë duke zhvilluar bisedime intensive edhe me kinezët, për importin e vaksinës së tyre. /rel

Lajmet më të lexuara