Unioni i Gazetarëve Shqiptarë mbështet protestën studentore në Shkup, reagon edhe ndaj mosrespektimit të gjuhës shqipe në RMV

23:30 | 5 Prill 2026
E.G

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar me shqetësim të thellë lidhur me situatën e krijuar në Maqedoninë e Veriut, duke denoncuar mosrespektimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet dhe jetën publike të vendit.

Në një deklaratë zyrtare, UGSH thekson se reagimi i tyre vjen pas një sërë denoncimesh në media, si dhe reagimeve të organizatave të shoqërisë civile dhe personaliteteve nga shoqëria multietnike në vend.

Sipas Unionit, moszbatimi i ligjit për gjuhën shqipe përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore dhe cenon parimet bazë të shtetit të së drejtës dhe të Kushtetutës.

UGSH nënvizon se një situatë e tillë është e papranueshme për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku respektimi i të drejtave gjuhësore përbën një kriter thelbësor.

“Unioni u bën thirrje mediave dhe gazetarëve maqedonas që të tregojnë solidaritet dhe të mbështesin zbatimin e këtij standardi kushtetues, duke raportuar me profesionalizëm dhe objektivitet çdo shkelje nga përfaqësuesit institucionalë. Në të njëjtën kohë, UGSH shpreh mbështetje për reagimet publike dhe protestat e paralajmëruara, përfshirë edhe atë të studentëve, duke inkurajuar anëtarët e saj që të marrin pjesë për të pasqyruar ngjarjet në mënyrë sa më të gjerë në mediat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Gjithashtu, Unioni mbështet Unionin e Studentëve Shqiptarë dhe u bën thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësuesve të saj në organizmat ndërkombëtarë që të reagojnë fuqishëm dhe të kërkojnë hetime për rastet e shkeljes së të drejtës për përdorimin e gjuhës amtare”, thuhet në reagim.

UGSH thekson se garantimi i kësaj të drejte është jetik për bashkëjetesën dhe stabilitetin në vend, duke kërkuar që ajo të respektohet në çdo rrethanë dhe nga çdo institucion. /Telegrafi

 

Shpërndaje në rrjete sociale