Tensionet Serbi-Maqedoni, Brnabiç e Zaev përpiqen “të ftohin gjakrat”

17:30 | 27 Gusht 2017

Takimi rajonal i Durrësit hodhi një tjetër hap përpara drejt afrimit ekonomik të vendeve të Ballkanit.

Në eventin e mikpritur prej kryeministrit shqiptar, Edi Rama, udhëheqësit ranë dakord për angazhime maksimale në realizimin e projekteve të “Procesit të Berlinit”. Por, takimi shërbeu edhe si shkëndijë për një tjetër zhvillim pozitiv: kryeministrja serbe, Ana Brnabiç ftoi homologun e saj maqedonas, Zoran Zaev, për vizitë në Beograd në muajin nëntor.

Ndalesa e tij, do të përdoret për një takim të përbashkët të përfaqësuesve nga qeveritë e të dy vendeve. Ftesa vjen në mesin e tensioneve që shkaktoi tërheqja e të gjithë stafit të Ambasadës serbe në Shkup.

Deklarata e Zaevit pas incidentit, që e la pa fjalë ekzekutivin maqedonas, ishte në tone mjaft paqësore, e pas ngjarjes për të cilën nuk u dha një shpjegim zyrtar, nuk vonoi shumë dhe përpjekjet për normalizimin e gjendjes nisën, fillimisht me një telefonatë mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Që të dy udhëheqësit ranë dakord që mosmarrëveshjet të zgjidhjen përmes dialogut, e të ketë promovim të marrëdhënieve miqësore dhe thellim të bashkëpunimit ekonomik.

Të premten, edhe ministrat e Jashtëm të Serbisë e Maqedonisë, Ivica Daçiç e Nikola Dimitrov, u takuan në Nish për të diskutuar çështjet e inteligjencës që nxitën tërheqjen e personelit diplomatik serb, e u zotuan të punojnë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Lëvizja e Beogradit, megjithatë ka lënë shumë pyetje pa përgjigje. Teksa Serbia hesht mbi arsyet e këtij vendimi, analistë të ndryshëm në Shkup mendojnë se, përmes gjestit të pashembullt, ajo thjesht po përpiqet të maskojë përzierjen e agjentit të vet në trazirat e 27 prillit në Parlamentin maqedonas.

Dy ditë më parë, raportuesi i Maqedonisë në PE, Ivo Vajgl ngriti shqetësimin se, tensionet në Ballkan mund të provohen të dëmshme për rajonin dhe perspektiven e tij të anëtarësimit në BE.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara