Shqiptarët e Maqedonisë paralajmërojnë protesta masive

18:54 | 8 Maj 2015
M. A.

Në Maqedoni, lëvizjet e reja opozitare politike po shqyrtojnë opsionin e protestave masive shqiptare. Ky do të jetë front i dytë, por i ndarë, i protestave antiqeveritare që në fokus do të ketë opsionin shqiptar.

Këto protesta do të organizohen kryesisht nga lëvizjet e reja politike, ndër të cilat përmendet lëvizja politike e Ziadin Selës.

Kreu i kësaj partie, gjatë qëndrimit në Washington, ka diskutuar edhe për këtë çështje, ndërsa diaspora shqiptaro-amerikane ka kërkuar që shqiptarët urgjentisht duhet të dalin në protesta antiqeveritare për të mbyllur të gjitha dilemat që kanë të bëjnë me çështjen e protestës ose jo, informon INA.

Në këtë vijë pritet të jetë edhe Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), e cila ka finalizuar marrëveshjen e koalicionimit me Lëvizjen për reforma në PDSH. Por, pritet që protestat e tilla të përkrahen edhe nga Lëvizja “Besa”.

Protestat do të fokusohen kundër koalicionit aktual qeverisës VMRO-DPMNE dhe BDI, ndërsa në agjendën kryesore do të shpalosen kërkesa për largimin e qeverisë aktuale, si dhe kërkesa kanë të bëjnë me çështjen e shqiptarëve, si zbardhja dhe lirimi i të burgosurve shqiptarë nga proceset e montuara si “Monstra”, “Sopoti” etj., avancimi i statusit të shqiptarëve përmes kërkesave për barazi, monitorim dhe përkrahje të bashkësisë ndërkombëtare për reforma reale, si dhe integrimi i shpejt i vendit në strukturat euroatlantike.

Protestat e qeta dhe demokratike po përkrahen masivisht edhe nga diaspora shqiptare në Evropë. Ditëve të ardhshme pritet të shpalosen qëndrime konkrete sa i përket opsionit të këtyre protestave.

Shpërndaje në rrjete sociale