Peleshi informon mbi situatën e përmbytjeve në veri të Shqipërisë: Reshjet po zhvendosen në jug

15:55 | 23 Nëntor 2022

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha sot se reshjet e shumta që mund të shkaktojnë probleme po zhvendosen në jug të vendit, pas një situate të rënduar prej disa ditësh në veri.

Në një komunikim për gazetarët, Peleshi sqaroi se thuajse tre të katërtat e sipërfaqes në zonat e përmbytura është liruar nga ujërat.

“Kanë vijuar reshjet me intensitet mesatar në veri, problemet e përmbytjeve janë ende prezente. Thuajse ¾ e sipërfaqes është liruar. Dy qarqet më të prekura janë Shkodra dhe Lezha. Në Shkodër janë të evakuuar 22 familje, 83 persona, nga 318 që ishin në fillim dhe nuk ka asnjë banesë nën ujë, por kanë mbetur 1305 hektarë të përmbytur”, tha Peleshi.

“Në Lezhë janë 1300 hektarë të përmbytur, 4 banesa nën ujë. Duket se reshjet po kalojnë në jug, ku pritet të ketë prurje të larta në lumenjtë Drinos dhe Shushicë”, shtoi ai.

Peleshi u bëri thirrje bashkive që të monitorojnë rezervuarët në administrim të tyre dhe të dërgojnë projekte për mbrojtjen e tyre nga prurjet e ujit.

“Vëmendje për bashkitë që të përgatiten për buxhetin që vjen për investime në rezervuarve. Po punojmë prioritet, bonus apo orientim për projektet që do të paraqiten nga bashkitë për rezervuarëve. I ftoj të dërgojnë projekte”, shtoi Peleshi.

Shpërndaje në rrjete sociale